Komisioni Europian do të publikojë sot një raport ku do t’i kërkojë shteteve të BE-së të jenë më shumë vigjilente në dhënien e ‘’vizave të arta’’, këtyre mekanizmave kombëtarë mjaft të diskutueshëm që i mundësojnë investitorëve të pasur të drejtën e përfitimit të lejeve të qëndrimit apo edhe të shtetësisë europiane. Kjo praktikë, me tepër e përdorur nga shtetasit kinezë, rusë apo amerikanë të pasur paraqet një sërë rreziqesh, në aspektin e sigurisë, të pastrimit të parave apo deri tek evazioni fiskal’’, sipas këtij raporti , dhënë për median nga një zyrtar europian.

Komisioni do t’i kërkojë në këtë mënyrë shteteve të Bashkimit Europian të jenë më pak tolerante gjatë shqyrtimit të kandidatëve, dhe të jenë më shumë transparent për mënyrën e dhënies së këtyre privilegjeve, duke drejtuar gishtin nga disa OJQ, origjina e disa skandaleve. Shtete si Malta, Qipro dhe Bullgaria janë veçanërisht në qendër të vëmendjes për sistemet e tyre që mundësojnë në këmbim të investimeve të drejtën e marrjes së shtetësisë dhe të lëvizjes së lirë në BE. Shtete të tjera, më të shumta në numër i mundësojnë investitorëve për të fituar jo vetëm të drejtën e shtetësisë por edhe të lejeve të qëndrimit.