Në Komisionin Evropian u përmbyll dita e parë e procesit ‘screening’, të Kapitullit 24, për “Sigurinë, Drejtësinë dhe Lirinë” për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Delegacioni shqiptar në takimin 3 ditor që po mbahet në Bruksel kryesohet nga zv.ministrat e Brendshëm Romina Kuko, Julian Hodaj, Besfort Lamallari, zv.ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Genti Cakaj. Pjesë e delegacionit janë përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë, Dogana, Banka e Shqipërisë.

Përfaqësues të Komisionit Evropian, nën drejtimin e z.Marc Jorna nga Departamenti për Çështjet e Drejtësisë, vlerësuan progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e analizës së përafrimit të kuadrit ligjor me atë të BE-së si dhe rezultatet e prekshme në luftën kundër krimit të organizuar.

Në ditët në vijim do të trajtohet çështjet e menaxhimit kufitar dhe migracionit të paligjshëm, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër drogave dhe ajo kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ministria e Brendshme është institucioni lider për koordinimin, trajtimin dhe ndjekjen e çështjeve të Kapitullit 24, për çështje të sigurisë. Procesi ‘screening’ është një analizë e hollësishme e kuadrit ligjor shqiptar në tërësi dhe ecurisë së përafrimit të legjislacionit, si një ndër hapat që vendi po hedh për hapjen e negociatave vitin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.