Diskuri politik i Presidentit Meta dihet tanimë se muajt e fundit ka ndryshuar dukshëm duke treguar një tjetër anë të tij aspak serioze.

Shumë prej mesazheve të tij, asnjeherë të drejtpërdrejta dhe gjithnjë të koduara, e kanë bërë figurën e tij të mbahet mend sot e gjatë, veç të tjerash edhe si “kujdestari” i kopshtit zoologjik dhe atij botanik, i politikës shqiptare.

Përse kopshti botanik?

Jo më larg se mëngjesin e sotëm, Meta përshendeti ndjekësit e tij me pozimin pranë shegëve.

Sipas Presidentit, fakti se shegët po piqen ishte lajmi i mirë i ditëve të fundit dhe jo (largqoftë) PO-ja nga Gjermania për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

E megjithatë, ndryshe nga shegët, domatet sipas Presidentit kishin një tjetër fat.

Në 28 korrik, Meta postoi foton e mëposhtme, ku edhe shkruan se domatet nuk janë pjekur por do durojmë edhe ca. Dy ditë para këtij postimi, Presidenti i dërgoi letër OSBE ku i kërkonte ndihmë për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.

Sa i përket kopshtit zoologjik, Meta prej kohësh ka treguar se është fansi më i madh i maceve, ndonëse muajt e fundit duket se ka patur një “ndryshim zemre” duke preferuar qentë jo pak herë.

Në këtë foto, Meta shfaqet me Sashën, macen e tij e të familjes tanimë prej vitesh. Sasha përveç emrit të veçantë është e njohur edhe për faktin tjetër se në shtëpinë e çiftit, ajo ka edhe një WC të vetën.

Një prej video-ve të Presidentit që bëri bujë të madhe edhe për shkak të mesazhit politik, ishte ajo me qenin Darko nga Bosnja. Megjithatë, nuk ka lënë pa kujtuar edhe macen e tij, Sashën për të cilin ka pasur një përshëndetje të veçantë.

“Mirëmëngjesi të dashur miq nga Jahorina e Bosnjës! Unë e nisa mbarë ditën sot me Darkon. Uroj një ditë të mbarë edhe për ju”, shkruan Meta.

Përshendes Sashën macen time të dashur, pasi ngjajnë shumë dhe shpresoj të takohen së shpejti. Thonë që macent dhe qentë nuk shkojnë por ky nuk është rasti”…

Në fundin e muajit gusht, përshendetja e radhës së Presidentit erdhi nga Gjiri i Lalëzit ku veç buqetës së maceve siç zgjedh ta quajë ai, edhe këtë radhë ka edhe një mesazh politik.

E fundit por jo për nga rendesia ishte një javë më parë.

Pas gjendjes kaotike të tërmeteve në vend Meta zgjodhi që mesazhin e parë për të qetësuar shtetasit e tij, ta shpërndante me një qen në krahë si për të bërë thirrje që të gjithë duhet të ishin po aq të qete e të buzëqeshur sa ai vetë në atë foto.

Në mesin e korrikut, vetëm 2 javë pas zgjedhjeve të 30 Qershorit Meta u vlerësua në Venecia me Çmimin Ndërkombëtar “Luani i Artë”.

Ky çmim duket se i ka dhënë siç duket fuqinë e madhe këto ditë të vështira Presidentit. Kjo pasi jo më larg se dje i pyetur nëse i trembet Komisionit të Venecias u shpreh: “Unë luani i Venecias… nuk i trembem Venecias!”

Vlen të permendet se ky çmim një vit më parë i ishte dhënë edhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit pas akuzave se e kishte blerë 75 mijë euro u detyrua të mos e tërhiqte vetë.

Veçoria këtu duket të jetë origjina e kafshëve të cilat për çudi vijnë nga e gjithë bota. Nga macja me emrin Sasha (rus), tek qeni Darko (serb) e deri tek luani i Venecias.

A e ka përcjellë apo jo mesazhin që ka dashur Ilir Meta nëpërmjet simboleve të kafshëve, bimëve, frutave a zarzavateve kjo pak rëndësi do të ketë në të ardhmen.

Ajo që me siguri do të mbahet mend gjatë është fakti se nëse nuk do arrijë dot të mbetet President Republike, e sigurt është që Ilir Meta mund të aplikojë me sukses për tu bërë kujdestari i kopshtit botanik e zoologjik të politikës shqiptare. /Përgatiti: AlpeNews.al