Pas ngjarjes tragjike të 26 nëntorit të gjithë janë prekur dhe traumatizuar, aq më tepër pas bilancit tragjik me 50 të vdekur nga tërmeti që goditi vendin. Këngëtarë të njohur në vend kanë anuluar koncertet e tyre për të respektuar dhimbjen e atyre që janë prekur nga kjo situatë.

Së fundmi Besa Kokëdhima ka treguar se për këtë arsye ka vendosur të heqë dorë nga konkurrimi në “Kënga Magjike”. Këngëtarja është shprehur se është shumë e ngarkuar shpirtërisht dhe se nuk është në gjendje të këndojë kur të tjerët po vuajnë.

“Të dashur miq me keqardhje ju njoftoj se në këtë kohë tragjedie, pikëllimi dhe paniku e kam të pamundur të performoj datë 5-7 dhjetor në ‘Kënga Magjike 2019’. Zemra ime është e ngarkuar me dëshpërim dhe vuajtje për ata që nuk janë më dhe nuk jam në gjendje të këndoj kur me bashkëkombësit e mi ka ndodhur kaq shumë, ndaj më duhet të tërhiqem zyrtarisht nga ‘Kënga Magjike 2019’! Jam e bindur që ‘Kënga Magjike’ do bëjë një punë të lavdërueshme për të kontribuar në mënyrën e saj për të ndihmuar të prekurit, unë do jap në heshtje ndihmën dhe kontributin tim për të lehtësuar sadopak dhimbjen e tyre dhe respektuar humbjet e pashlyeshme të tyre”, ka shkruar Besa në një postim në ‘Instagram’.