Mbajtja pastër e ambienteve rreth monumenteve të kulturës, ashtu si në fillim të sezonit, por edhe tani që është në prag të përfundimit të tij, vijon të jetë në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.

Ditët e fundit bashkia e Beratit ndërmori një aksion pastrimi të mureve të jashtëm të kalasë së qytetit.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, bën të ditur se punonjësve të bashkisë iu bashkuan edhe turistët e huaj që ndodheshin për të vizituar kalanë e Beratit.

“U bashkuan me ne sot në fushatën e pastrimit të mureve të jashtëm të kalasë edhe disa turistë të huaj, duke fuqizuar dhe entuziazmuar skuadrën e Gjelbërimit në përkujdesjen e saj për qytetin”, shprehet Demo.

Mbajtja pastër e ambienteve rreth monumenteve dhe jo vetëm është detyrë dhe përgjegjësi për të ofruar një turizëm cilësor. Aksione të tilla kërkojnë të ndërgjegjësojnë dhe të tërheqin vëmendjen e komunitetit për mbajtjen pastër të një mjedisi me vlera kulturore siç është kalaja e Beratit

Kalaja e Beratit vijon të jetë atraksioni turistik i preferuar për turistët e huaj dhe vendas edhe gjatë stinës së vjeshtës. Ajo është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum.