Historia e Karim Benzemasë dhe Francës është kthyer në telenovelë. Sulmuesi nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për t’u rikthyer me “Gjelat”, por diçka e tillë është e pamundur, pasi federata dhe trajneri Deschamps nuk e marrin në konsideratë që prej skandalit ku u përfshi së bashku me Valbuenën.

Trajneri Didier Deschamps i ka mbyllur përfundimisht dyert, ndërsa pas tij ka reaguar dhe presidenti i Federatës, Noel Le Great. “Karriera ndërkombëtare e Benzemasë ka mbaruar. Është kapitull i mbyllur”, – tha ai.

Sulmuesi Benzema ka reaguar menjëherë në Twitter dhe i është kundërvënë presidentit: “Noel, mendoja se ti nuk ndërhyje te vendimet e trajnerit. Dua që të dish se unë dhe vetëm unë vendos kur mbyllet karriera ime me kombëtaret. Nëse ti mendon se kam mbaruar, më lejo të luaj për një nga vendet që mund ta bëj”. Sulmuesi i Realit i referohet Algjerisë, por është shumë e vështirë që të ndryshohet kombëtarja, pasi ka luajtur me Francën në turne zyrtar.