Nga Bedri Islami

Po bëhen dy javë që nga protesta juaj dhe kjo është herë e parë që një lëvizje kaq masive gjen njëherësh edhe miratimin e të gjithëve.

Gjen miratimin e prindërve Tuaj!

Gjen miratimin e njerëzve të zakonshëm!

Gjen mbështetjen e atyre që u ishte vrarë shpresa se ky vend mund të ndryshojë!

Gjen mbështetjen e bashkëmoshatarëve tuaj në të gjithë botën, ku janë shpërndarë!

Në mënyrën më cinike të mundshme gjen mbështetjen e trupës suaj akademike, të cilët, edhe këto ditë, kur ju jeni në shi apo nën erërat e ftohta, porositin shampanjë për të festuar fundin e vitit në fakultetet tuaja dhe me paratë që ju kanë marrë!

Gjen mbështetjen e qeverisë, e cila i pranon kërkesat, por është mbyllur në kullën qeveritare dhe nuk luan nga istikami!

Gjen mbështetjen e shefit të qeverisë, që, ndërsa ju fton për dialog, përpiqet që përplasjen mes Jush dhe shtetit, të kalojë në një përplasje mes jush dhe rektorateve dhe dekanateve.

Gjen mbështetjen e opozitës , e cila është po aq fajtore, në mos më shumë se sa qeveria për gjendjen e Arsimit në Shqipëri dhe në veçantë të Arsimit të Lartë?

Gjen mbështetjen edhe të atyre që kanë blerë me një dorë para godinat tuaja dhe i kanë kthyer në salla bixhozi, kur vëllezërit e tyre ishin presidentë apo shefa bashkie!

Pra, gjen mbështetjen e të gjithëve!

Kjo ndodh për herë të parë.

Mund të jetë e fundit.

Ju duhet ta dini këtë! Duhet të dini se e drejta juaj, nëse shpërndahet në vijza politike dhe nëse teprohet me të, ajo mund të shuhet gradualisht ose mund të bëhet lojë e një populizmi politik, që ju nxjerr në anë të bregut dhe nuk sjell asgjë të mirë për kombin.

Ka gjithnjë një kohë, një moment kur duhet thënë: po më tej?

Po më tej, duhet thënë edhe nga Ju.

Të tetë kërkesat tuaja do të gjejnë zbatim. Disa prej tyre menjëherë dhe të tjera do të duan një kohë.

Ajo, më tej, është për Ju. Nuk është as për qeverinë, as për opozitën, as për kuvendin, me ato që janë brenda dhe me ato që mungojnë.

Mos krijoni shansin e humbur duke u përplasur me njerëzit që ju duan!

Mos i bëni të heshtur ato që ju janë gjendur pranë, pa asnjë merak tjetër, veç asaj që e quani kauzë dhe që është e mundur të mbetet e tillë.

Hienat e trupës akademike u janë ngjeshur; pragmatizmi politik , aq larg vizionit tuaj të deritashëm, po ashtu; qeveria luan me kohën dhe me gatishmërinë për të qenë në një tavolinë me ju, e Ju:

– Mos e lini të ikë kohën tuaj, të mos përdhoset ajo?

ose shtroni vizionin tuaj haptas, ose shkoni në shtëpi, ose kthehuni në auditorë, ose shkoni e bisedoni me forcën që keni sot, e që nesër, politika mund të ju a shterrë.

E sotmja mund të jetë pa një nesër! / Marrë nga profili në Facebook