Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria i ka bërë të gjitha ato që duhen bërë për t’u hapur negociatat.

“Juve duhet të më pyesni mua a i ka bërë qeveria të gjitha ato që duhen për t’u hapur negociatat. Kjo është përgjegjësia e qeverisë. Sepse nuk u hapën pasi u thanë do hapen, këtë gjë shkoni kërkojani Presidentit të Francës”, u shpreh Rama në një intervistë televizive.

Por, theksoi Rama, “po ju them edhe një herë tjetër që ky është një proces dinamik. Nuk janë 999 kushte për të hapur negociatat. Janë 999 për të bërë anëtarësimin. Nuk janë 9 për të hapur negociatat janë 2. Çelja e negociatave fillon me Konferencën Ndërqeveritare pastaj i gjithë procesi është kushtëzim, kushtëzim”.

Nga ana tjetër, shtoi ai, “nëse ne nuk do të kishim bërë detyrat dhe Komisioni Europian do kishte thënë që Shqipëria nuk i ka bërë detyrat. Atëherë duhet të më kërkonit llogari mua. Unë jam gati të jap llogari edhe për Presidentin e Francës se kam dhe marrëdhënie miqësore me të, por nuk kam kapacitetin që të marr përsipër bërjen e detyrës së Presidentit të Francës apo të marr përsipër të firmos vendimmarrjen e Këshillit Europian”.

Ky, theksoi Kryeministri Rama, “është një proces. BE nuk është në ditët e veta më të mira. BE ka një përplasje të brendshme. Dhe në këtë përplasje të brendshme Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë tamam si ai kopshti dhe ajo çerdhja në anë të rrugës kur bombardohet një autokolonë që marrin pjesën e tyre dhe kthehen në një dëm anësor për momentin”.

Ama, shtoi Rama, “përtej kësaj ajo që është shumë e rëndësishme, dhe unë e ritheksoj është që këto gjëra ne nuk i bëjmë për ata. Ne nuk kemi humbur nga këto gjëra, përkundrazi ne kemi fituar duke i bërë këto gjëra. Ne nuk do humbasim duke vazhduar t’i bëjmë gjërat, po do të fitojmë sepse do të bëhet Shqipëria më e mirë. Do të jetë një sistem drejtësie më i mirë. Do të kemi një tërësi institucionesh më të mira. Dhe kështu do të kemi një Shqipëri Europiane këtu në vendin tonë. Për këtë arsye bëhet ky proces”.