Nevoja për zhvillimin e turizmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka gjetur mbështetjen e Bashkimit Europian.

Në Durrës u zhvillua ceremonia e dorëzimit të 16 granteve të para të fazës së dytë. Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu u shpreh se “në rajon ka një nevojë të jashtëzakonshme për të punësuar në këtë sektor. Qëllimi i skemës së granteve të RCC-ve është të zhvillojë dhe të promovojë globalisht ofertën e përbashkët rajonale të kulturës dhe aventurës, të sjellë më shumë vizitorë në Ballkanin Perëndimor, të zgjasë qëndrimin e tyre dhe të rrisë të ardhurat dhe punësimin në industrinë e turizmi. Vitin e kaluar kanë qenë 12 milionë turistë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Nga ana tjetër, Nada Markoviç, nga shoqata e grave “Maja”, Bosnje tha se “ në këtë zonë nuk ka një strategji për turizmin, kështu që ne shpresojmë që me anë të disa aktiviteteve të stimulojmë zhvillimin e turizmit në rajon dhe do të japim kontributin tone për fuqizimin e grave, jo vetëm në sektorin e turizmit, por të grave në përgjithësi”

Gjatë fjalës së mbajtur, Danko Cosiç, qendra Danubit për aftësi, Beograd, u shpreh se ” Në shekujt e II- IV të erës sonë qendra politike dhe ushtarake e Romës, nuk ka qenë në Romë, por ka qenë në Danub. Prandaj, unë do të thosha që të gjithë turistët apo individët që dëshirojnë të mësojnë më shumë për historinë e Romes, në fakt qendra e dytë më e mirë është ajo ku jemi ne, në Danub”

Në këtë fazë, portofoli Europian i mbështetjes është 800 mijë euro, ndërsa totali i granteve është 1.62 milion euro dhe do të mbështeten 161 komunitete rajonale.