Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste televizive sot në mbrëmje u shpreh se fjala e fundit për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërisë me BE nuk është thënë akoma.

Ai deklaroi se të gjithë krerët e Bashkimit Europian i thanë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut se opsioni për mos hapjen e negociatave është për shkak të problemeve të tyre të brendshme.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se duhet të pritet të shihet vendimi nesër, pasi diskutimet në tryezën e Këshillit Europian vijojnë ende.

“Gjermania dhe një front i gjerë që mbron idenë se duhen çelur negociatat, dhe nga ana tjetër Franca dhe dy a tre vende që mbrojnë idenë se nuk duhet vazhduar, por duhet një qasje e re. Jemi në kushtet ku as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut dhe asgjë nga ato që kemi bërë apo duhet të bëjmë akoma, nuk kanë asnjë lidhje me atë që po debatohet në tryezën e Këshillit Europian”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se “fjala e fundit akoma nuk është thënë. Diskutimi vazhdon intensivisht edhe pse qëndrimi i presidentit francez lë pak shpresë për të patur një dritë jeshile sonte. Të presim deri nesër për të kuptuar se ku realisht ndodhet procesi. Nuk ka një përfundim akoma”.

“Unë isha bashkë me kryeministrin Zaev në Bruksel dhe se akoma nuk është thënë fjala përfundimtare. Ka një Gjermani që është pro dhe presidenti Macron nuk ka ndryshuar qëndrim”, tha ai.

“Pikësëpari nuk e thashë unë që negociatat do hapen në qershor të 2019, e shkruajti e zeza në të bardhë Këshilli Europian”, vijoi Rama duke theksuar se “ndarja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria nuk ka qenë qasje e shumicës, por ka qenë qasje e një numri shumë të vogël vendesh dhe përkatësisht e vendeve që sot janë në anën e atyre që nuk refuzojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sepse kjo është kulmi. Të gjithë krerët e BE i thonë shqiptarëve dhe maqedonasve të Veriut se ky është një problem i yni i brendshme e s’ka të bëjë më ju, ndërsa gjitho-llogët shqiptarë të ulur në tryezat e katundit mediatik thonë se kjo çështje lidhet me ne”.