Taulant Balla deklaroi nga Elbasani se me 30 Qershor zgjedhjet do të zhvillohen dhe në çdo shqiptar ka të drejtën të votojë Kryetarin e Bashkisë.

70 ditë para zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit, Partia Socialiste ka nisur organizimet e të gjitha strukturave elektorale.

Balla së bashku me Sekretarin për Mediat dhe Shoqërinë Civile, Alfred Peza dhe koordinatorët dixhitalë të qarkut të Elbasanit zhvilluan një takim ku u diskutua lidhur me një nga elementët më të rëndësishëm të një fushate elektorale, komunikimin digjital.

Në fjalën e tij, Balla tha se komunikimi korrekt dhe i vazhdueshëm me mediat mbetet një nga dimensionet kryesore të çdo fushate dhe tashmë një gjë e tillë është bërë edhe më e thjeshtë përmes transmetimeve direkte në facebook, në të cilat mediat kanë akses të drejtpërdrejtë në kohë reale.

“Më 30 Qershor zgjedhjet do të zhvillohen dhe në këtë datë çdo shqiptar ka të drejtën të votojë Kryetarin e Bashkisë. Shqiptarët dinë të bëjnë shumë mirë dallimin mes bashkive që drejtohen nga PS dhe bashkive që drejtohen nga Luli dhe Monika, e të cilat ka ardhur koha t’i çlirojmë nga kapja prej tyre.

Zgjedhja është aq e thjeshtë sa ne jemi të sigurtë se edhe po të garonte në zgjedhje i vetëm, Lulzim Basha sërish do të humbte, pasi shqiptarët e refuzojnë Bashën, partinë e tij pa ide dhe alternativën e tij të dhunës, politikën e tij të baltës dhe gënjeshtrës. Lulzim Basha mendon vetëm për veten e tij e për asgjë tjetër. 100% për Bashën, 0% për Shqipërinë”, deklaroi Balla.