Bashkia e Tiranës do të investojë në të gjitha fshatart e Tiranës, me synimin ofrimin e shërbimeve aty ku janë njerëzit. Premtimin e dha kryebashkiaku Veliaj gjatë inspektimit të përfundimit të punimeve në shkollën 9 vjeçare ‘Sharrë’ në zonën e Kombinat.

Fëmijët e zonës së Sharrës në zonën e Kombinatit do të zhvillojnë mësim në ambiente të ngrohta dhe të rikonstruktuara nga Bashkia e Tiranës. Gjatë inspektimit të kryer në këto mjedise, kryetari i Bashkisë, Veliaj tha se synimi është ofrimi i shërbimeve aty ku janë njerëzit, ndërsa premtoi investime në të 130 fshatrat e Tiranës.

Shkolla e rikonstruktuar ka të integruar edhe mjediset për ciklin parashkollor, që shërben si një ndihmesë për prindërit që punojnë të cilët nuk kanë ku të lënë fëmijët.

“Situata sot në Sharrë nuk është perfekte, por është si dita me natën me ç’ka qenë. Jo vetëm Sharra, por të 130 fshatrat e Tiranës kanë nevojë për ndërhyrje, ama krahasuar me katër vite ku nuk ndodhte asgjë, të paktën sot mund të themi se landfilli, varrezat dhe shkolla u bënë. Nga tre punë çdo vit, e kështu me radhë, mund të mbyllen të gjitha problemet. Gjithë filozofia si e qeverisë, si e bashkisë, ka qenë t’i çojmë shërbimet aty ku janë njerëzit.

Ajo që më lumturoi pafund, edhe si prind i ri, është fakti se këtu është edhe parashkollori, edhe kopshti, për ata fëmijë që nesër do të vazhdojnë klasën e parë dhe të dytën. Jam i bindur për shumë nëna që duan të punojnë është një bekim shumë i madh që të kenë një vend të sigurt si ky ambient, ku të lënë fëmijët e tyre, t’ia besojnë shtetit dhe bashkisë, për të vazhduar më pas punët e tyre”

Në shkollën 9-vjeçare “Sharrë” është ndërhyrë në ambientet e brendshme dhe është bërë rehabilitimi i gjithë oborrit të saj, duke krijuar një mjedis argëtues dhe çlodhës.