Allaman Çira, banor i Bashkisë Klos, i cili kishte punuar gjatë gjithë jetës së tij në minierë në nëntokë arriti të dyfishonte masën e pensionit pasi iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al.

Rasti i Allaman Çirës u prezantua sot në takimin e përjavshëm të kryeministrit Edi Rama me koordinatorët e bashkëqeverisjes.

Çira përfitonte një shumë të papërfillshme pensioni, ndaj vendosi t’i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes, dhe pas rishqyrtimit të rastit pensioni i tij u dyfishua dhe ai përfitoi tepricat kreditore.

Ai iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes duke u ankuar se ka punuar gjatë gjithë jetës së tij në minierë në nëntokë, por shuma e pensionit që përfiton është e papërfillshme në krahasim me lodhjen dhe vështirësinë e profesionit të tij.

Për këtë, Çira kërkoi rillogaritjen e masës së pensionit. Pas verifikimit të mënyrës së llogaritjes së pensionit u vu re se pensioni është caktuar minimal dhe jo sipas përcaktimeve të ligjit.

DRSSH Dibër rillogariti masën e pensionit dhe masa aktuale e pensionit është dyfishuar ku nga 10,690 që ishte më parë shkoi në vlerën 21,448 lekë.

Po kështu, Çiras i është akorduar edhe teprica kreditore prej 188,185 lekë, të cilën po e përfiton menjëherë.

Kryeministri Edi Rama tha se një “nga punët e mira të platformës së bashkëqeverisjes është mbështetja e menjëhershme që i jep pensionistëve”.

“Prej shumë vitesh para daljes së platformës, pensionistët kanë pasur pamundësi të plotë për të adresuar çështjen e përllogaritje së drejtë të pensionit të tyre, si rezultat i një administrate të pavëmendshme dhe një sistemi funksionimi të ankesave, i dështuar prej thuajse 30 vitesh. Qindra mijëra letra drejtoheshin çdo vit vetëm këtu në këtë godinë, pa llogaritur letrat në ministri dhe drejtori, dhe nuk rezulton që qoftë edhe 1% e tyre të merrnin përgjigje”, tha Rama.

Platforma, sipas tij, ka transformuar sistemin e ankesave në modern, të aksesueshëm dhe të drejtpërdrejtë duke bërë të mundur që ankesa e çdo qytetari të mos mbetet e palexuar dhe të mos përfundojë në koshin e plehrave.

“Ky sistem i ri ankesash ndihmon çdo ditë në përmirësimin e administratës. Shumëkush thotë pse na duhet platforma apo pse t’i çojmë sms kryeministrit apo ministrave sepse administrata duhet ti bëjë kë’to etj. Por, edhe në vendet më të zhvilluara ka sistem ankesash, sepse vendet më të përparuara dhe administratat më moderne nuk kanë arritur dot dhe nuk do të arrijnë të mbërrijnë në një nivel ku nuk ka asnjë ankesë sepse në fund të ditës, administrata vihet në punë me njerëz çdo ditë”, tha Rama.

Ai shtoi se “mjafton që të shohim sa letra dhe ankesa shkruajnë qytetarët amerikanë në Senat, Kongres dhe në Shtëpinë e Bardhë, dhe marrin zgjidhe sepse një nivel më i lartë ndërhyn për t’u dhënë atyre zgjidhje”.

“Sigurisht është sfida jonë të përmirësojmë administratën çdo ditë dhe ky komunikim i drejtpërdrejtë mes qytetarit e qeverisë bën që pasi ne adresojmë problemin, të merremi me shkaktarët”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “janë mbi 800 persona nga drejtorë në specialistë që kanë marrë masa ndëshkimore në adresë të tyre, nga ndjekjet penale te paralajmërimet për pushime nga puna, sepse ka rezultuar se i kanë zvarritur qytetarët”.