Biznesmeni Gjergji Buça, president i një firme për shpërndarjen e drurëve arrit të marrë detyrimin kontraktual me bashkinë e Dibrës, pas ankesës drejtuar në rubrikën e re kushtuar sipërmarrjes në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Buça kishte lidhur një shtesë kontrate me bashkinë Dibër me objekt “Blerje dru zjarri për nevojat e Njësisë Administrative në varësi të Bashkisë Dibër” në vlerën 8.326.500 lekë në datë 06.06.2017 për të cilën kjo bashki nuk kishte likuiduar detyrimin kontraktual.

Pas një trajtimi intensiv me bashkinë Dibër, duke gjetur zgjidhje dhe për problematikën e fondeve, të cilat ishin bllokuar për shkak të vendosjes së sekuestrove në llogaritë e bashkisë Dibër nga ana e përmbaruesve, u arrit që Buça të marrë pagesën brenda datës 25 tetor, detyrim për të cilin kishte 2 vite që priste.

Në takimin me koordinatorët e biznesit në Kryeministri, përfaqësuesi i këtij subjekti falënderoi Kryeministrin Rama dhe platformën e bashkëqeverisjes për zgjidhjen e problemit të subjektit ku ai punon.

“Presidenti i firmës ku unë punoj hasi në vështirësi shumë të mëdha sepse nuk i paguanin. Ai u detyrua të shkojë në bankë të kërkojë para për ti paguar rrogat punëtorëve deri ta jepnin paratë që atyre që u kishte dërguar mallin”, tha përfaqësuesi i subjektit.

Ai tregon se i sugjeroi presidentit të firmës të shkruante në platformën e bashkëqeverisjes dhe pas 7 ditësh i erdhën lekët.

“Presidenti i firmës pasi mori paratë na pagoi rrogat dhe mua më dha një shpërblim”, u shpreh ai.

Kryeministri Rama u shpreh se “sigurisht më e mira e të gjitha të mirave do të ishte që të gjitha institucionet të reagonin në këtë formë, por pikërisht pse kjo nuk ka ndodhur për shumë e shumë vite edhe pse janë përmirësuar jo pak gjëra, prapë ka plot probleme të tilla dhe ne kemi zgjedhur këtë rrugë”.