Lideri demokrat Lulzim Basha ka postuar një tjetër mesazh në rrjetet sociale pas protestës së 10-të që opozita zhvilloi mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Ai thotë se shqiptarët janë të etur për ndryshim të vërtetë për ti dhënë fund tranzicionit, ndërsa shton se zgjedhjet e lira do i hapin rrugë këtij transformimi.

“Sot shqiptarët janë të etur për ndryshim. Sot shqiptarët duan ndryshim të vërtetë, jo të përkohshëm, jo fals, jo fasadë, por ndryshim që do t’u japë fund krizave dhe traumave të tranzicionit. Një ndryshim që do të na fusë në rrugën e sigurt drejt Bashkimit Europian dhe vlerave perëndimore.

Zgjedhjet e lira e të ndershme do t’i hapin rrugën transformimit politik dhe ekonomik që ka nevojë Shqipëria, do ti hapin rrugë ndryshimit të vërtetë. Ky ndryshim është tani, qëllimi ynë kryesor, përparësia ime absolute ndaj çdo shqiptari” shkruan Basha.

Ndryshe nga radhët e tjera pas përfundimit të protestës së djeshme, Basha nuk dha detaje sesi do të vijojë aksioni opozitar kundër qeverisë Rama.