Nga Londra ku ndodhet në një vizitë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka publikuar një foto të dokumentit 800-vjeçar të “Magna Carta”. Kryedemokrati thotë se ky dokument ka frymëzuar betejat madhështore për liri në të gjithë botën. “Madhështia e saj qëndron te ideali i shenjtë dhe parimi bazë i demokracisë perëndimore se liria dhe të drejtat e njeriut mbrohen me ligj dhe se dhunimi i tyre është shkak për përmbysjen e çdo pushteti” shkruan ai. Basha prej disa ditësh ndodhet në një vizitë në Britani, ndërsa drejtori për Ballkanin i ka kërkuar që të ulet në dialog pa kushte me Ramën për të zgjidhur krizën.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës- Të dashur miq, këtë foto e mora, nga panelet e Ëestminster, ndërtesës historike të Parlamentit Britanik, nënës së gjithë parlamenteve. Është Magna Carta, dokumenti 800 vjeçar që ka frymëzuar betejat më madhështore për liri në botë këto 8 shekuj, nga Reforma e Monarkisë Britanike tek Revolucioni Amerikan dhe ai Francez. Madhështia e saj qëndron te ideali i shenjtë dhe parimi bazë i demokracisë perëndimore se liria dhe të drejtat e njeriut mbrohen me ligj dhe se dhunimi i tyre është shkak për përmbysjen e çdo pushteti.

Magna Carta është mantra e kufizimit të pushtetit me ligj dhe ndërtimit të shoqërisë mbi barazinë para ligjit dhe respektin për të drejtat dhe liritë e çdo njeriu. Magna Carta është Karta e Madhe që e bëri Britaninë të madhe sepse vendosi precedentin se mbi të drejtat dhe dinjitetin e njerëzve nuk ka pushtet mbi tokë përvec pushtetit të njerëzve nga njerëzit dhe për njerëzit!