Ndërsa më 31 maj Holanda dorëzoi zyrtarisht në Komisionin Evropian kërkesën e saj për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen, në Shqipëri kishte nisur “festa”.

Kryetar i PD Lulzim Basha, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi e ndihmuar dhe nga Petrit Vasili, madje dhe Presidenti Ilir Meta akuzuan kryeministrin Edi Rama se jo vetëm që nuk po hap negociatat e Shqipërisë me BE, por po vendos dhe regjimin e vizave për shqiptarët.

Debat i gjatë që u zhvillua në Parlamentin holandez për këtë çështje, ndërkohë që më pas u miratua dhe kërkesa e iniciuar nga deputetja Toorenberg, u përcoll nga opozita shqiptare më shumë se sa debatet e saj në Kuvendin e Shqipërisë, kur ende nuk kishin djegur mandatet.

Në një letër dërguar Eurokomisionerit për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitri Avramopoulos, Robert de Groot përfaqësuesi i përhershëm i Holandës në BE paraqiti dhe argumentet e Parlamentit të tij për këtë kërkesë që përmblidhen në tre pika.

Por Komisioni Europian, pasi priti një muaj nga kërkesa sipas rregullit, e hodhi poshtë.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen.

Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”, bën të ditur zëdhënësi i Komisionit Europian.

Lajmi është dhënë që në mëngjes, dhe nuk ka asnjë reagim pozitiv, përshëndetës nga ana e kreut të PD Lulzim Basha, kryetares së LSI Monika Kryemadhi, apo dhe të Petrit Vasilit të paktën, për Komisionin Europian për këtë vendim në favor të shqiptarëve.

Ndërsa Presidenti Ilir Meta, ndonëse sot ka bërë katër letra nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 11.30, nuk ka gjetur kohën dhe mundësinë të hedhë dy fjalë përshëndetëse.

Nuk duam të mendojmë se opozita dhe Presidenti kanë qënë të dëshpëruar që BE të vendoste regjimin e vizave për Shqipërinë, vetëm e vetëm që Edi Rama të goditej politikisht./M.N