Opozita e Bashkuara ka vendosur të zhvillojë të dielën në orën 11:00 një protestë para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Gjithashtu opozita ka vendosur një tjetër protest kombëtare të hënën në orën 18:30.

‘Në këtë orë të vonë të natës dua t’ju kujtoj vendimin unanim të forumeve drejtuese të Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar për të thirrur një protestë kombëtare ditën e hënë në orën 18 e 30, të palëkundur në qëndrimin tonë për të larguar qeverinë e krimit”, tha kreu i PD-së Lulzim Basha në përfundim të mbledhjes.

“U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të na bashkohen nesër në orën 11, para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Drejtorisë së Torturës dhe Krimit, do të protestojmë për lirimin e qytetarëve të arrestuar, të dhunuar barbarisht nga kriminelët me uniformë. Nesër në orën 11, të gjithë qytetarët e Tiranës janë të ftuar në protestën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës”, theksoi kreu i PD.

E sotmja, shtoi ai, “e ka ndarë Shqipërinë me thikë, jo në mes. Shumica dërrmuese e qytetarëve kanë qenë të pranishëm në protestën më të madhe të organizuar ndonjëherë dhe gjithë ata që kanë qënë me ne me zemër dhe me mendje, demokratë e socialist, të djathtë e të majtë, toskë e gegë, të krishterë e myslimanë, pavarësisht prej statusit të tyre ekonomik apo social, të varfër të papunë, sipërmarrje të vogla, intelektualë, artistë, profesorë, studentë, të gjithë dua t’ju shpreh mirënjohjen”.

“Të gjithë jemi në të njëjtën anë. Ne jemi Shqipëria e shpresës, ne jemi Shqipëria europiane, kuqezi, për shpresën kombëtare që po ngrihet, blu me yjet e verdhë të Europës, për ëndrrën që vetëm ne do ta bëjmë realitet”, tha Basha.