Ish-presidenti Bamir Topi, së fundi ka publikuar një libër, “Nocturn”, i cili ka sjellë jo pak debate në skenën politike shqiptare. Libri në fjalë, ndër të tjera flet edhe për një të ashtuquajtur inciden, ku sipas Topit, helikopteri i ushtrisë ishte ulur për shantazh në oborrin e shtëpisë së tij.

“Sidoqoftë, të urdhëruar dhe nën presion, Sokol Çuni dhe piloti i ri, Donald Hoxha, i cili do të gjente vdekjen dy vjet më vonë në një aksident ajror mbi liqenin e Shkodrës, u ngritën në fluturim vetëm me një urdhër të sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, si një fluturim rutinë, në një ditë të diel, pa urdhrin me shkrim të komandantit epror Dhori Spirollari, i cili ndonëse nuk kishte kurajën ta ndalonte këtë aventurë, mbrojti veten duke mos lënë gjurmë me firmën e tij, për një fluturim ku gjërat do të komplikoheshin gjatë rrugës.”-shkruhet ndër të tjera në libër.

Por, ndërkohë ka ardhur reagimi i Edvin Kullurit, i cili në një postim në rrjetet sociale shprehet se ulja e helikopterit është bërë për xhirimin e një klipi të këngetares Zajmina Vasjari. Kullur thotë se kërkesa e këngetares në fjalë i është përcjellë për shqyrtim komandantit të Forcës Ajrore në bazë të kompetencave të tij.

“Te dashur miq! Pas makines se propagandes se Rilindjes, edhe ish- presidenti Top ne librin e tij Nocturn, paska perseritur pretendimin alucinant se ne cilesine e sekretarit te Pergjithshem, ne vitin 2012 paskam urdheruar ngritjen e helikoptereve te Forcave te Armatosura!

Kete here jo per xhirimin e nje klipi te kengetares Zajmina Vasjari, por me qellimin per tu ulur ne oborrin e shtepise se tij ne forme presioni ndaj tij dhe familjes se tij! I nderuar ish- president, si ish- komandant i FA duhet te kishit kuptuar se kerkesa e kengetares ne fjale i eshte percjelle per shqyrtim komandantit te Forces Ajrore ne baze te kompetencave te tij!

Ajo eshte nje kerkese e percjelle drejte KFA dhe nuk eshte”Urdher”, pasi jo vetem qe ekzististon asnje “urdher”, por sekretari i Pergjithshem i MM nuk urdheron dot njesite e FA per ceshtje ushtarake, por i kerkon plotesimin e detyrave ne fushen civile si buxhet, prokurime dhe detyra qe ia ngarkon legjislacioni shqiptar! Si politikan apo ish politikan te keshilloj te mos genjesh per tu bere “hero” me pahir pasi kjo sjellje nuk te con askund!

Mundohu te ruash dinjitetin qe i takon nje ish- presidenti”, shkruan Kulluri.

Ajo që nuk kuptohet, është fakti se përse helikopteri, që ish-drejtuesit e PD të Ministrisë së Mbrojtjes thonë se ishte ngritur për një klip të Zajminës, duhej të ulej në oborrin e Topit? Mirë që marrja e një helikopteri shtetëror për një klip është skandal, po lind pyetja përse helikopteri u ul pikërisht në oborrin e Topit, dhe jo në ndonjë oborr tjetër?!

Kulluri përpiqet të shmangë përgjegjësinë e tij, por pak rëndësi ka se kush e ka dhënë atë urdhër, pasi kjo gjë zbulohet kollaj. I rëndë është fakti i përdorimit të shtetit ndaj Topit, për presion dhe banaliteti i një shteti, që vë në dispozicion helikopterët për Zajminën.

(TemA)