Një vendim që e ka rreshtuar atë në krah të opozitës, e ka cilësuar kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taluant Balla, kthimin e ligjit për ndryshimet e Kodit Penal nga Presidenti Meta. Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se Meta as nuk e ka kuptuar se cili ka qenë thelbi i ndryshimeve në Kodin Penal, teksa e bëri atë fajtor të disa ngjarjeve në vend si dhuna në stadiume, mungesa e ndëshkimeve të autorëve që cënojnë sigurinë ushqimore, dhuna ndaj mjekëve apo policëve. Sipas Ballës, nëse Meta nuk do të kthente këtë ligj, shumë nga këto episode të shëmtuara nuk do të kishin ndodhur.

“Meta nuk ka kuptuar se kush ka qenë thelbi i ndryshimeve në Kodin Penal. Të gjithë e dimë që sigurua ushqimore duhet të jetë vëmendja jonë kryesore. Në se do kishte hyrë në korrik, tani në shtator mund të kishim pasur raste të para që abuzojnë me sigurinë ushqimore të shqiptarëve, u vonuam dy muaj vetëm prej presidentit. Ai e ka vetë pozicionuar presidencën në një nga selitë e opozitës. Prej sot nuk do të guxojë më askush se do të shkojë në kokërr burgu në abuzon me sigurinë ushqimore. Asnjë fjalë në dekret për këtë çështje. Dhuna në stadiumi patjetër. Nëse presidenti s’do e kishte pozicionuar si bashkë-drejtues i opozitës, nuk do kishte ndodhur dhuna në ndeshjen në Shkodër. Dhuna në stadium, dhuna ndaj mjekëve, punonjësve të policisë. Nuk e ka lexuar fare nenin atë për ndërhyrje të padrejta në jetën private. Qëllimi ka qenë për të garantuar respektimin e të drejtave të fëmijëve që u shërpdorohen fotografitë që i përdorin kolegët pa teklifë. S’e ka pasur njeri për video përgjimet të referuara në Presidencë”, tha Balla.