Kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla foli sot nga Elbasani ku mori pjesë në mbledhjen e zgjedhjes së kryetarit të këshillit të këtij Qarku. Në fjalën e tij Balla shprehu edhe njëherë gatishmërinë dhe dorën e shtrirë për opozitën në funksion të një reforme elektorale. Balla tha se Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri, bashkëkryetarë të komisionit për Reformën Zgjedhore po punojnë për të sjellë një draft të përbashkët sa i përket adresimit.

Ai deklaroi se është shpresë plotë se Shqipëria dhe Maqedonia do marrin një përgjigje pozitive për nisjen e bisedimeve për hapjen e negociatave me BE.

“Pas përfundimit të zgjedhjeve vendore dhe pas raportit të fundit të ODHIR, zgjedhjet kanë qenë tërësisht demokratike pasi asnjë partie politike nuk i është mohuar e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje. Shprehim edhe një gatishmërinë tonë dhe dorën e shtrirë jo vetëm me opozitën parlamentare por edhe me ato jo parlamentare në funksion të një reforme elektorale. Falenderoj zonjën Hajdari dhe zotin Gjiknuri që po punojnë për të sjellë një draft të përbashkët për sa i përket adresimit të ndryshimeve në Kodin zgjedhor. Ndërkohë që edhe rekomandimet e fundit të raportit të ODHIR duhet të përkthehen në amendamente.

Unë jam shpresë plotë që Shqipëria dhe Maqedonia i kanë përmbushur të gjitha pritshmëritë e BE dhe fillimi i bisedimeve është një çështje edhe më e rëndësishme për të vijuar këtë ritëm reformash. Në tetor do kemi një përgjigje pozitive. Unë dua t’iu them që Kuvendi është i angazhuara në vijim të punës për reforma të rëndësishme ndër to edhe reforma zgjedhore”, tha Balla.

Ndërsa i pyetur për çështjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Balla tha se kjo është çështje eksluzive e drejtësisë duke mos dhënë koment mbi të.