Kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka folur për raportin e Komisionit të Venecias lidhur me kërkesën e socialistëve për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Balla tha se ka dëgjuar një lum me sulme ndaj Komisionit të Venecias, por sipas tij, kur ky organ i gjithë pranuar në Europë flet, atëherë të gjithë të tjerët duhet të heshtin.

Balla indirekt ka thumbuar Presidentin për të cilin tha se duhet të mbajë fjalën për t’u larguar nga posti i Kreut të Shtetit. “Komisioni i Venecias është organi ekspertiza e gjithëpranuar në Europë, por edhe më gjerë. Kur Komisioni i Venecias flet të gjithë të tjerët duhet të heshtin.

Të gjithë duhet ta presim me respekt verdiktin final të Komisionit të Venecias, kush u zotua për dorëheqje, duhet të mbajë fjalën”, tha Balla. Socialisti është pyet dhe për datën 13 tetor, e cila është dekretuar nga Presidenti si data e zgjedhjeve të reja vendore, por Balla tha se atë ditë do të përkrahë kombëtaren shqiptare dhe fituesit e Maratonës së Tiranës.

“Unë di që pas të premtes janë dy momente të rëndësishme. Së pari i uroj kombëtares sonë një fitore të rëndësishme në Turqi, dhe i uroj mirëseardhjen në Shqipëri të gjithë atyre që e kanë dëshirë sportin e vrapimit dhe i uroj sukses atij që do të fitoj marationën e Tiranës“, tha Balla.