Rudy Giuliani, avokati personal i Presidentit Donald Trump, po hetohet nga prokurorët federal në Nju Jork për shkelje të mundshme të ligjit të lobimit.

Kjo, sipas një njoftimi të premten në gazetën New York Times, që citon dy persona anonimë në dijeni të hetimit.

Një nga burimet e gazetës Times thotë se hetimi ka të bëjë me përpjekjet e zotit Giuliani për të minuar ish-ambasadoren amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch.

Dy biznesmenë në Florida të lidhur me Giulianin u akuzuan të enjten për shkelje të ligjit federal për financimin e fushatave. Të dy kishin role kryesore në përpjekjet e Giuliani për të filluar një hetim për korrupsion në Ukrainë kundër pretendentit presidencial demokrat Joe Biden dhe djalit të tij Hunter. Ankesë e një informatori për përfshirjen e presidentit Trump me Ukrainën ka çuar në një hetim të Kongresit për shkarkimin e mundshëm të presidentit.

Zyra e prokurorit në Manhattan nuk pranoi të komentojë të premten mbrëma në lidhje me njoftimin e gazetës.