Nga Artur Ajazi

Në jug, në shumicën e zonave atje, përdorin një shprehje të goditur, “si avazi i Mukes edhe ky”, kur një njeri i kthehet gjithmonë diçkaje të vjetër, që është e mërzitshme. Edhe ajo që po ndodh me Partinë Demokratike (dhe në fakt jo me shumicën e saj) mund të quhet “avazi i Mukes”, i një force politike e cila dimrin e quan verë, dhe verën e quan vjeshtë. Por Aldo nuk ka faj, pasi e kishte thirrur nga pushimet kryetari , për të lexuar (refrenin e përvitshëm) paralajmërimin e fortë se “në shtator nisim protestat popullore deri në largimin e kësaj qeverie”. I gjori Aldo, që u bë therror i “idealit demokratik” i një partie e cila e ka humbur fillin qysh kur në krye të saj erdhi krahu i majtë i Doktorit.

Avazi i Mukes, ka kohë që sillet vërdallë mëndjes tek drejtuesit të ish-opozitës së vjetër, aq sa për të gjetur sebepe të besueshme për aksionet e shtatorit, kryetari ngre alarmin dhe thërret nga ato pak ditë pushime Aldon, më “heroin” e fushatave me personazh kryesor babalet e Vlorës. Dhe në fakt si Aldo, si Gazi, si Muli dhe Ervini, e dinë se Lulzim Basha do ti kthehej sërish në shtator (aq sa të mundet) protestave, do ti kthehej sërish në shtator kushtrimit “ejani mblidhuni të rrëzojmë Ramën”, se do ti kthehej sërish në shtator fushatës “mbro vehten, dhe shpif për tjetrin” kur dihet se pozitat e tij janë më të rrezikuara se kurrë.

Ju ktheve sërish “avazit të Mukes” o Aldo, duke besuar (dhe ti beson vërtetë në ç’ka thotë kryetari dhe Doktori) se shtatori do të mbledhë rreth jush , rreth milionerëve të kollarisur të SHQUP-it, sërish qindra ndjekës të “papunë” por që ushqehen dhe paguhen rregullisht nga partia. U ktheve me urgjencë nga pushimet o Aldo, dhe besove se “kryetari e ka gjetur çelësin e suksesit për të marrë pushtetin”, dhe nxitove për të lexuar proklamatën e nisjes së “protestave popullore”. Sa axhami, dhe sa të paditur ishit dhe mbetët, o sekretarët e SHQUP-it, që kryetari jo vetëm po ju përdor si gjallesa eksperimentale, por ndoshta do t’ju shpallë shumë shpejt “tradhëtarë të partisë” një ditë të bukur.

Dhe kjo as që vihet në dyshim, mjafton të bësh evidentimin e atyre që e themeluan PD, dhe që sot janë ose në Alaskë e Kanada, ose janë të papunë dhe në pension rrugëve. Por pavarsisht kësaj Aldo nuk trembet nga dështimet dhe pasojat, si kryetari Basha. Aldo e ka treguar me fjalë dhe vepra se është “qëndrestar që thyen zinxhirë” si dikur në shtatorin e 1998, apo 2001, dhe i tillë do të mbetet deri në “rrëzimin e Ramës”.

Ndryshe nga sa e quajnë shumë sot PD si “opozita e vjetër ose opozita e rrugës”, mendoj se kësaj force politike apatike, që i është shkelur çdo normë, statut, liri mendimi dhe veprimi, që i është shkelur rëndë demokracia e brëndshme, që i janë përdhosur simbolet dhe ideatorët, që i janë larguar krijuesit, kontribuesit dhe militantët, po i shterrojnë të gjitha mundësitë krijuese, rinovuese, zhvilluese. Avazi i Mukes o Aldo, ai u ka mbetur, tek ai jeni kthyer për 6 vjet rresht (duke gënjyer dhe mashtruar) dhe tek ai do të ktheheni edhe vite të tjera, deri në brezin e katërt të “udhërrëfyesve dhe udhëdrejtuesve” të SHQUP-it.