Prej dy ditësh, Prokuroria e Tiranës kishte nisur verifikimet pas shfaqjes në media të një audio-përgjimi, ku dëgjohet nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, duke folur në telefon me anëtarin e Gjyqtarit të Strasburgut, Ledi Bianku.

Ndërsa dje, Prokuroria ka regjistruar zyrtarisht veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Pasi kjo bisedë u bë publike, pati edhe një reagim nga Denar Biba, i cili pranoi se ka folur në telefon, por sipas tij biseda ishte e pjesshme.

Burime nga organi i akuzës konfirmuan dje se për të sqaruar të gjitha dyshimet, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar veprën penale dhe do të nisë verifikimin e audiopërgjimit. Pas kryerjes së verifikimeve paraprake, administrimit të materialit audio apo qartësimit të mënyrës së përfitimit të saj, prokurorët do të vlerësojnë nëse ka apo jo vend për nisjen e një procedimi penal. Të njëjtat burime thanë se Prokuroria i ka nisur një shkresë portalit që publikoi bisedën, duke kërkuar vënien në dispozicion të materialit të plotë.

VERIFIKIMI

Pasi të kenë marrë materialin e plotë në cilësinë e provës, prokurorët do të kërkojnë që audio t’i nënshtrohet një ekspertimi për të saktësuar nëse është origjinal apo ka pasur ndërhyrje.

Në përfundim të këtyre veprimeve, Prokuroria do të vendosë nëse do t’i thërrasë për t’i marrë në pyetje dy personat që dëgjohen në audio-përgjim, Denar Bibën dhe Ledi Biankun, apo edhe emrat e personave që përmenden në bisedën mes tyre. Burimet thanë se nëse nga verifikimi prokurorët do të arrijnë në përfundimin se është kryer vepra penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, apo ndonjë vepër tjetër penale, atëherë do të nisë një hetim i plotë penal. Ndërsa paraprakisht, hetuesit janë ende në fazën e verifikimeve.

Prej dy ditësh, Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë që të hetojë edhe për korrupsion Denar Bibën dhe sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçin, për shantazh ndaj gjyqtarit Ledi Bianku. Sipas kreut të opozitës, Lulzim Basha, Biba e ka shantazhuar gjyqtarin, duke i kërkuar që të mbështesë qeverinë në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës së Strasburgut për të shtyrë ekzekutimin e vendimeve të kësaj Gjykate, të çështjeve të kthimit dhe kompensimit të pronave, derisa të miratohet ligji tjetër.