Bukuritë e natyrës shkodrane dhe atraksionet turistike të saj gjatë këtyre muajve të sezonit veror janë prezantuar nga buzëqeshja e të rinjve të “Smile Albania” turistëve të huaj. Të rinjtë e “Smile Albania”, Shkodër përgjatë dy muajve kanë shoqëruar turistë të shumtë nga vende të ndryshme të Europës të cilët i kanë njohur me bukuritë që ofron vende duke i dhënë dhe informacionin e duhur për vlerat dhe historinë që ato mbartin.

Turistët e huaj nga vende të ndryshme kanë dhënë përshtypjet e tyre për Shqipërinë dhe qytetet që ato kanë vizituar. Turistët nga Anglia shprehen se, “Shqipëria është shumë e mrekullueshme, ka jetë nate shumë të mirë të mirë. Koha është e shkëlqyer me diell, çfarë të prisni më tepër”.

“Shqipëria është e super e bukur, ka natyrë të bukur dhe njerëzit janë të mrekullueshëm”, shprehen turistët nga Franca. Disa turistë të tjerë nga Anglia të cilët kishin shijuar bukurinë e Alpeve Shqiptare nga Thethi e deri në Valbonë thanë se, ” është një mrekulli, e kemi shijuar shumë natyrën. Ushqimi është shumë i mirë dhe është ndër më të mirët që kemi provuar”.

Një çift turistësh nga Gjermania të cilët kanë vizituar Thethin u shprehën se, “është shumë bukur këtu nga malet dhe njerëzit janë shumë miqësor”. Turistët nga Spanja të cilët kishin vizituar Shkodrën gjithashtu ishin mjaft të lumtur për këtë vizitë dhe të rinjtë e “Smile Albania” i kishin shpjeguar në mënyrën më të mirë pikat turistike të Shkodrës dhe ishin ndjerë mjaft komod nën shoqërinë e tyre.

Shkodra është një vend që ofron turizëm në katër stinët sepse aty takohet deti, liqeni, mali natyra, kultura dhe arti. Turistët e aventurës gjithashtu në Shkodër kanë mundësi të shijojnë hiking, kanoe si dhe të shëtisin me biçikleta nëpër rrugicat karakteristike të qytetit.