Ndonëse për gati një vit e përdorën kauzën e Astirit si kalë beteje politike, ish-deputetët demokratë duket se kanë qenë në gjumë në momentin kur kanë filluar prishjet e ndërtimeve pa leje të cilat do t’i hapin rrugë edhe projektit të madh të ndërtimit të Unazës së Madhe.

Drejtuesit e PD duket se janë dorëzuar pasi nëse më përpara garantonin se Unaza nuk do të bëhej, tashmë ata kanë ndryshuar qëndrim duke premtuar mëngjesin e sotëm se do të dëmshpërblejnë banorët në momentin kur ata do të vijnë në pushtet.

Ka qenë nënkryetari i PD, Edi Paloka i cili në një prononcim për mediat ka pohuar këtë qëndrim.

Për 12 muaj PD organizoi protesta të vazhdueshme në zonën e Astirit duke bllokuar çdo ditë rrugëkalimin e mijëra automjeteve që hynin në Tiranë e duke sjellë një shqetësim të vazhdueshëm tek banorët e kryeqytetit.