Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, është marrë i pandehur për kundërshtim të forcave të policisë dhe të punonjësve të IKMT, dy ditë më parë teksa ndërhynë për të prishur banesat që preken nga projekti i Unazës së Re. Po kështu ai akuzohet edhe për tubim të paligjshëm. Balliu ka hedhur akuza se në gjyq nuk po shkojnë se kanë bërë ndonjë krim por po i dërgon kryeministri Edi Rama.

Ai ka mbajtur një deklaratë për mediat nga Prokuroria e Tiranës ku ka deklaruar se PD dhe vetë ai si ish deputet i ka mbrojtur banorët e Astirti, pavarësisht se kur banesat e tyre shembeshin Balliu dhe përfaqësuesit e PD mbërritën me vonesë pranë tyre.

Balliu ndër të tjera ka shtuar se në darkë do të bëjë publike at që ai e quajti ‘hajdutët e vërtetë’ në Unazën e Re.

“Këto që i quajnë zaptues. Sot në dark do të shihni se kush janë hajdutët e vërtetë, sot në dark. Ky merak do të shuhet sot në dark.” ka thënë ndër të tjera Balliu.

Ish deputeti është ndalur edhe tek ‘kontrata’ që kreu i PD, Lulzim Basha ka firmosur me banorët e Astirit , duke thënë se banorët e Astirit të cilëve u është prishur banesa jo vetëm që do të dëmshpërblehen por madje do të futen në burg edhe përgjegjësit.

“Është e gabuar të thuash se nuk arritëm ne ti mbronim. Fakti është i vetëm banorët fituan se do të dëmshpërblehen. Le të ngrihet mazhoranca por nuk do të përçahen banorët. Ata që i dhunuan do të shkojnë në kokërr të burgut. Kjo është një kontratë e re e firmosur nga Lulzim Basha dhe banorët e Unazës së re. Nuk prisja asgjë më shumë, se PD e di mirë se në momentin që do përballemi me mazhorancën do të bënin dhunë, arrestime, shtyrja, gazi. Por ajo që na shqetëson është se qytetarët mbetën pa shpi. Ajo që na shqetëson është Shpëtim Billa që u prish shpia në mënyrë të paligjshme. Preken të gjitha shtëpitë, aty nuk ka projekt. DH është kompania fantazëm nuk ka projekt. është vetëm një zgjerim, shqetësimi im është me banorët. Shkëlzen Sadikaj ka gjyqin dhe do të jetë tek gjykata penale. S’dinë ç’bëjnë janë gjuajtur me gurë, fëmijë , nga policia u është hedhur gaz dhe janë helmuar. Këto do të shihni sot në darkë se kush janë hajdutët sot në dark do tua tregoj unë në dark. Sot këto që ju i quani zaptues. Ata shkuan për t’i vrarë. Dërgimi në gjyq po caktohen data gjyqesh, Nuk mund të marrësh të pandehur për një vit një komunitet të tërë. Ky meraku do të shuhet sot. Këtu s’ka prova. Në gjyq na çon Rama. Për Kajmakun kërkon dialog. Nuk pranoi dialog me banorët.”