Artistët e pavarur propozojnë një zgjidhje kompromisi për çështjen e Teatrit të ri Kombëtar. që në nisje të diskutimeve në tryezën e sotme të thirrur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, aktori i njohur Artan Imami ka paraqitur një deklaratë ku paraqiti kushtet për të gjetur konsensusin dhe ftoi artistët dhe aktorët e tjerë në këtë proces që ta firmosin atë.

Me anë të kësaj deklarate ai u shpreh dakord me ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, por duke parashtruar si kërkesë që territori të mos preket dhe që aktorët të jenë pjesë e komisionit negociues.

Më poshtë deklarata e plotë e Artan Imamit:

Ajo që dua të deklaroj është që të gjitha ata që do e gjejnë veten në këtë deklarim mund ta firmosin qoftë virtualisht qoftë me qëndrimet e tyre publike.

Ne artistët e pavarur të cilët nuk jemi pjesë e asnjë shoqate, apo grupi artistësh apo anëtarë sindikatash të cilët gëzojmë po të njëjtat të drejta në lidhje me godinën e teatrit Kombëtar dëshirojmë që t’i bëjmë me dije gjithë opinionit publik dhe dashamirësve të teatrit në vendin tonë se:

Shprehim dakordësinë tonë dhe nevojën emergjente për një godine të re të Teatrit Kombëtar. Një godinë e cila t’u shërbejë artistëve dhe mbi të gjitha publikut i cili edhe pse në kushte tërësisht të papërshtatshme për asnjë moment nuk e ka braktisur skenën e teatrit.

Ne artistët nënshkrues të kësaj deklarate shprehim vullnetin dhe njëkohësisht edhe kërkesën tonë që në funksion edhe të transparencës që i shërben forcimit të besimit në këtë proces, përfshirjen e detyrueshme në komisionin e negocimit që do të ngrihet për zhvillimin e këtij projekti me qëllim për të qenë pjesë e vendimmarrjes që ka të bëjë për ngritjen e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Po kështu shprehim mendimin tonë paraprak, para nisjes së negociatave se prona që posedon Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet vetëm dhe vetëm për godinën e re të Teatrit Kombëtar duke mos cenuar tjetërsimin, nënvizoj, duke mos cenuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone apo vendosjen e saj në favor të partnerit privat për zhvillimin e pjesës tjetër të projektit.

Teatri është një institucion kombëtar dhe për këtë arsye ne artistët kërkojmë një proces transparent duke qartësuar jo vetëm grupin tonë të artistëve por edhe gjithë publikun në lidhje me procesin e nisjes së ndërtimit dhe afatin konkret të përfundimit të kësaj godine dhe vënien e saj në funksion të publikut.

I gjithë ky proces kërkon një bashkërendim dhe mbi të gjitha besim midis palëve për të ngritur më në fund një godinë bashkëkohore dhe moderne të Teatrit Kombëtar në shërbim të artistëve dhe publikut tonë artdashës.

I ftoj të gjithë ata që e gjejnë veten brenda këtij deklarimi, do ta gjejnë në ueb, të thonë mendimin e tyre publikisht.