Nga Julian Hodaj  zv.ministër i Punëve të Brendshme/

Të nderuar anëtarë të panelit zonja dhe zotërinj,

Së pari, besoj se të gjithë e vlerësojmë mundësinë që na jep kjo konferencë për të diskutuar mbi një temë kaq të rëndësishme siç është ajo e integritetit të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Në këtë këndvështrim, çdo analizë, kontribut apo rekomandim është i mirëpritur dhe padyshim që ja vlen të diskutohet dhe pse jo, edhe të debatohet mbi të.

Në kuadër të monitorimit të performancës së organizatës së policisë, ne kemi të dhënat tona të brendshme për gjendjen e strukturave, të dhëna të cilat përditësohen dhe monitorohen sistematikisht por nga ana tjetër jemi të vemendshëm, gjithashtu në mënyrë sistematike rreth asaj çfarë publiku, si përfituesi kryesor i shërbimit që policia ofron mendon për punën e Policisë së Shtetit.

Nëse do shihni rezultatet e sondazheve profesionale, të kryera nga institute të specializuara për çështje të perceptimit publik, të kryera nga aktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, do të konstatoni se ka një rritje domethënëse të pëlqyeshmërisë së publikut kundrejt punës së Policisë së Shtetit i cili shkon në korrelacion me uljen e perceptimit të korrupsionit në polici. Sa më shumë ulet perceptimi i korrupsionit në polici aq më shumë rritet vlerësimi për organizatën dhe efektivët e saj. Është një rezultat pozitiv, qoftë krahasuar me rezultatet e e jo shumë viteve më parë, qoftë krahasuar me pëlqimin ndaj institucioneve të tjera në vend. E thënë ndryshe, Policia e Shtetit është sot institucioni më i besueshëm në vend dhe sot njerëzit ndihen më të sigurt në Shqipëri.

Pra, nëse do shihnim thjesht këto shifra, do ishte shumë kollaj të thoshim sot se kemi një bërë një punë të lavdërueshme, të ndiheshim shumë komodë dhe të kalëronim, edhe politikisht këtë lloj suksesi. Në fakt, te ne si drejtues të Ministrisë së Brendshme, po ndodh e kundërta. Fakti që ato përpjekje në kaq pak vite, prodhuan këtë rezultat tregon se mundësia për të bërë më shumë është reale; tregon që në fund të ditës, vizioni dhe përkushtimi këtij vizioni jep frytet e veta. Kjo na stimulon që të mendojmë se si mund të përmirësojmë punën tonë, me vendosmëri, ditë për ditë pavarësisht sfidave të cilat natyrisht kur zbaton një reformë të thellë si ajo e viteve të fundit, nuk janë të pakta.

Në Ministrinë e Brendshme kemi bindjen se forcimi i integritetit brenda strukturave ligjzbatuese , në mënyrë që të jetë një karakteristikë e qendrueshme e organizatës, duhet të kanalizohet në tre procese të mëdha; e para një verifikim i punonjësve të agjencive ligjzbatuese në varësi të Ministrisë së Brendshme, e dyta një sistem edukimi dhe trajnimi i modeluar në mënyrë të tillë që të mundet të induktojë te ata që pranohen në Policinë e Shtetit, rëndësinë e misionit të tyre në të ardhmen, sepse siç e kemi thënë shumë herë bëhet fjalë për një mision dhe jo thjesht një punë si të gjithë të tjerat; e treta një sistem i qartë dhe i konsoliduar për kontrollin dhe monitorimin e performancës dhe integritetit në punën e përditshme, në mënyrë që të sigurojë që të sigurohet edhe qëndrueshmëria e të gjitha nismave të ndërmarra.

Sa i përket elementit të parë, nuk do të doja të zgjatem por bëhet fjalë për atë proces që tashmë ka nisur dhe që në pak ditë do të fillojë të japë produktet e para. Është një proces jo i lehtë, që jemi munduar ta ndërtojmë si një mekanizëm të pavarur dhe të paanshëm tek i cili kemi shpresa se do të ndihmojë në vlerësimin e të gjithë atyre punonjësve me integritet të padiskutueshëm dhe që posedojnë aftësitë profesionale të nevojshme për këtë lloj detyre.

Sa i përket elementit të dytë, jo më larg se pak minuta më parë, patëm mundësinë që së bashku me Shefin e Bashkëpunimit në Delegacionin Europian, z. Mariani, të asistonim në hapjen e ofertave për një projekt binjakëzimi për forcimin e kapaciteteve të Akademisë së Sigurisë. Besojmë fort se eksperienca e partnerëve tanë europianë do të na ndihmojë në vitet që vijnë për të ri-organizuar dhe mundësuar që Akademia e Sigurisë të rrisë cilësinë e programeve ofruar dhe të kthehet në një institucion elitar sa i përket formimit dhe trajnimit të punonjësve të institucioneve të sigurisë publike në vendin tonë.

Sa i përket elementit të tretë, fokusi është në dy drejtime specifike; nga një anë në ri-organizimin e brendshëm të policisë së Shtetit duke u dhënë vëmendjen dhe mbështetjen e duhur strukturave të monitorimit dhe disiplinimit të brendshëm dhe nga ana tjetër në forcimin dhe mbështetjen që duhet ti jepet organizmave të kontrollit të jashtë, siç është Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Në lidhje me SHÇBA përfitoj nga rasti të njoftoj se Ministria e Brendshme është fazën e diskutimit të një ligji të ri organik për Shërbimin, i cili do të adresojë problemet që kanë ekzistuar në të kaluarën, duke synuar në rritjen efikasitetit të këtij shërbimi. Projektligji do të shoqërohet patjetër edhe me një ri-organizim të brendshëm të këtij shërbimi në mënyrë që të jetë në gjendje t’u përgjigjet, në mënyrën më efikase të mundshme, atyre që janë kërkesat e kuadrit legjislativ në fuqi.

Të nderuar miq, asnjë nga këto procese nuk është i thjeshtë; të gjitha kërkojnë burime njerëzore dhe financiare të konsiderueshme. Qeveria shqiptare ka vullnetin maksimal për të bërë gjithçka është e mundur, po impenjon energji të konsiderueshme në këtë drejtim por jemi më se të ndërgjegjshëm që çdo ndihmë në këtë aspekt, sado specifike apo periferike është më se e mirëseardhur për të përmbushur atë prioritet qeverisës që është krijimi i institucioneve të forta, me profesionistë me integritet.
Integriteti i agjencive ligjzbatuese dhe veçanërisht i punonjësve të Policisë së Shtetit, është një çështje që ka vëmendjen tonë të plotë. Është një nga prioritetet qeverisëse gjatë këtij mandati dhe për rrjedhojë edhe një nga prioritetet edhe të shpallura të Ministrisë së Brendshme me bindjen e plotë se së bashku me profesionalizmin, integriteti është pikënisja e një organizate që përmbush misionin e saj, në zbatim të ligjit, në shërbim të qytetarëve.