Moderatorja Arbana Osmani, së fundmi ka publikuar librin e saj të dytë të gatimeve “Receta për 5 minuta”, ku e kemi parë edhe me djalin e saj Jonin. Ajo është shumë e lidhur me vogëlushin dhe publikon shpesh në rrjete sociale foto nga momentet që kalon me të.

Në një intervistë për revistën “Who”, Arbana ka folur për mënyrë se si djali i ka ndryshuar jetën, duke e bërë atë më të bukur, por edhe të lodhshme.

“Joni ka ndryshuar jetën time në çdo dimension, duke e bërë më të bukur, por edhe më të lodhshme herë pas here. Me Jonin gatimi është shumë i këndshëm, por edhe sfilitës sepse ka gishta që futen në brum, tasa që derdhen, vezë që rrihen dhe pastaj derdhen, etj. Por unë vdes të gatuaj me të, është një nga kënaqësitë më te mëdha. Joni nuk gatuan vetëm me mua, por edhe me gjyshet, kështu që dalëngadalë po trajnohet siç duhet”, është shprehur Arbana.

Ajo ka rrëfyer se pasioni për kuzhinën e ka ndihmuar që të ushqejë më mirë djalin.

“Brezi ynë vërtet është privuar nga shumë gjëra gjatë komunizmit, kur unë kam qenë fëmijë, por mungesa e çokollatave dhe gjellët e mamit na kanë bërë veçse mirë. Unë ashtu si shumë nëna përpiqem që Joni të ushqehet shëndetshëm në shtëpi, por nuk e privoj nga një picë në fundjavë apo nga kokoshkat në kinema”, ka thënë Arbana gjatë intervistës.

Kujtojmë që Arbana ka qenë në qendër të publikut për lidhjen e saj me regjisorin Eduart Grishaj, të cilët duken shumë të lumtur me njëri-tjetrin.