Plot 140 zyra të reja aplikimi për kartat e identitetit apo pasaportat biometrike janë hapur në të gjithë vendin, nga të cilat 12 në Bashkinë e Tiranës, duke reduktuar ndjeshëm pritjet në radhë të qytetarëve dhe për të përballuar flukset e aplikantëve.

Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, u ndal në një zyrë të re pranë njësisë 5 në Tiranë, ku gjatë një interviste për ERTV, foli mbi procedurat dhe afatet e aplikimit.

Sipas saj, hapja e zyrave moderne dhe shtimi i numrit të operatorëve që presin qytetarët, ka mundësuar një shërbim më të shpejtë por edhe më cilësor për qytetarët shqiptarë që duan të rinovojnë mjetet e tyre të identifikimit.

“Pasi blihet kuponi, vini në këtë zyrë ku punonjësi i gjendjes civile bën verifikimin e shtetasve që aplikojnë, duke verifikuar të dhënat e qytetarëve në regjistrin e gjendjes civile. Në rast të aplikimit për pasaporta biometrike fillimisht plotësohet një formular në komisariatin e zonës ku qytetari është banor. Punonjësi i policisë së zonës verifikon nëse ti je banori i asaj zone në atë pallat apo lagjie dhe ky proces është shumë i shkurtër, brenda 24 orësh. Brenda 24 orësh vjen formulari nga policia e shtetit në këtë zyrë”, tha Voda.

“Më pas, qytetarët gjenden para makinerisë së posaçme, bëjnë foton dhe lënë shenjat e gishtave. Kjo është një procedurë që nuk zgjat më shumë se tre, katër minuta, më pas lajmëroheni nga punonjësi kur dokumenti i identifikimit është gati”, sqaroi zëvendësministrja mbi procedurën.

Lidhur me afatet kohore të aplikimeve, Voda sqaroi tre fashat kohore që janë vënë në dispozicion për qytetarët shqiptarë.

“Fundi i vitit po vjen dhe në 31 Dhjetor 2019 përfundon afati i vlefshmërisë së mjeteve dhe do të kemi një boom aplikimesh. Kemi edhe një fluks të madh të pasaportave të skaduara në vitet 2009-2010 dhe ndaj për të normalizuar këto flukse, për t’i orientuar njerëzit, e kemi ndarë shërbimin në tre fasha kohore. Për karta identiteti që kanë skaduar nga janari në prill, do të aplikojnë në muajin tetor. Kujt i skadon nga maji deri në gusht, aplikon në nëntor. Ndërsa, kujt i ka skaduar në muajt shtator- dhjetor, aplikon në dhjetor, e më pas do duhet të presin janarin 2020”, tha Voda.

Përveç zyrave të reja në të gjithë vendin, aplikimin për karta identiteti dhe pasaporta biometrike e ofrojnë edhe zyrat e shërbimeve të integruara, ADISA.