Deklarimi i punonjësve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe deklarimi i pagës reale të tyre do të jetë në fokus të Planit Operacional kundër informalitetit për pjesën e mbetur të vitit 2019.

Sektorët e call-center, fasonerisë dhe ndërtimit janë evidentuar me numrin më madh të punonjësve dhe inspektimet sa i përket zbatimit të detyrimeve të legjislacionit për punën do të fokusohen në këto tre sektorë. Gjatë një inspektimi në një call-cente, kryeinspektori Arben Seferaj bëri me dije se që nga data 1 korrik inspektoriati ka inspektuar në total 3242 subjekte, nga të cilët 1606 subjekte janë konstatuar me punëmarrës informalë dhe në 1491 raste apo në 46 % të subjekteve të kontrolluara janë marrë masa administrative, pasi kanë rezultuar me problematika në raport me zbatueshmërinë e ligjit.

“Për 58.875 punëmarrës gjithsej është verifikuar marrëdhënia e punës së tyre, ku rezultojnë 1896 punëmarrës të pasiguruar dhe të padeklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Shifra e informalitetit të evidentuar është në masën 29 % në 1066 subjekte kontrolluar, të cilët kanë rezultuar me 6432 punëmarrës. Pra, këto subjekte kanë pasur dhe pjesën më të madhe të informalitetit”, u shpreh Seferaj, ndërsa theksoi se janë këshilluar 1753 subjekte për zbatimin e legjislacionit të punës përmes dhënies së këshillave në dokumentacionin e inspektimit dhe përmes shpërndarjes së fletëpalosjeve ifnormuese në lidhje me detyrimet dhe të drejtat që kanë punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Nga ana tjetër, drejtoresha Ibrahimaj theksoi se deri në fund të muajit dhjetor do të inspektohen subjektet që kanë numër të lartë punonjësish për deklarimin e punonjësve, deklarimin e pagave dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj organeve tatimore.

“Kemi evidentuar sektorin e call center, fasonerisë dhe ndërtimit, të cilët janë tre sektorë me numër të lartë punonjësish. Nga analizat e riskut të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kemi evidentuar se janë gjithsej 292 tatimpagues të cilët operojnë në fushën e call center, 61 prej tyre nuk kanë asnjë të punësuar, 130 tatimpagues kanë 1 deri në 10 të punësuar, 88 kanë 11-100 të punësuar dhe 13 kanë mbi 100 të punësuar. Sot gjendemi në një subjekt që ka mbi 80 të punësuar dhe kemi për qëllim të evidentojmë nëse këto të punësuar janë të deklaruar dhe pagat e këtyre të punësuarve. Fokusi është që informaliteti të ulet, të punësuarit të deklarohen dhe sigurimet shoqërore të paguhen për këto të punësuar, aq sa është paga reale e tyre”, u shpreh Ibrahimaj.

Gjithashtu, Ibrahimaj bëri me dije se në sektorin e fasonerisë operojnë gjithsej 669 tatimpagues dhe në sektorin e ndërtimit 4866 tatimpagues, ku 1484 prej tyre kanë vetëm 1 të punësuar.

“Qëllimi ynë është që të gjithë këto tatimpagues që operojnë në këto fusha të vetë-deklarohen, të vetë-rregullohen dhe t’u japim kohë që ato të zbatojnë ligjin, pasi nuk kemi për qëllim gjobitjen e këtyre tatimpaguesve, por kemi për qëllim ndërgjegjësimin e tyre me qëllim që ligji të respektohet në të gjithë format e veta”, u shpreh Drejtoresha e Tatimeve.