Është Osijeku ekipi i ri i sulmuesit Kristal Abazaj, i cili ka lënë tashmë Anderlehtin në Belgjikë. Pritej që ai të huazohej në një ekip tjetër dhe tashmë ka marrë formë zyrtare lëvizja e tij drejt kampionatit kroat.

Abazaj ka kaluar tek Osijeku në formë huazimi për një vit, me të drejtë blerjeje. Drejtuesit e Osijekut kanë një përvojë të mirë me futbollistët shqiptarë.

Kujtojmë që pak kohë më parë ata shitën lojtarin e Kombëtares, Eros Grezdën, në Skoci.

Ish-lojtari i Luftëtari kaloi vitin e kaluar tek Anderlehti, por tek ekipi i madh belg Abazaj nuk mundi të gjente hapësirat e nevojshme, kështu që huazimi i tij ishte i pashmangshëm.

Ai është prezantuar tashmë me ekipin kroat dhe pritet që të hapë një faqe të re në karrierën e tij.

Lajmi është konfirmuar edhe nga klubi i Anderlehtit, që ka postuar njoftimin për huazimin e Kristal Abazajt, duke iu uruar fat atij në aventurën e re.