Liverpooli mund ta ketë përjetuar shijen e hidhur të disfatës në ndeshjen kundër Napolit, në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, mirëpo Carlo Ancelotti e siguroi Jurgen Kloppin se kjo është në fakt shenjë e mirë.

Ky ishte viti i dytë radhazi që djemtë e Jurgen Kloppit u mposhtën në Napoli, pasi që skuadra e Serisë A kishte triumfuar me rezultat 1:0 në fazën e grupeve të edicionit të kaluar të Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Dhe përderisa Liverpooli pati vështirë në ndeshjen jashtë Anfieldit në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve vitin e kaluar, Ancelotti e theksoi se kjo gjë nuk i ndaloi ata ta fitojnë trofeun e garës në fund të sezonit.

“I thashë atij të mos mërzitet sepse nëse humb këtu, ai ka gjasa të vazhdojë përpara dhe ta fitojë Ligën e Kampionëve. E sigurova atë”, u shpreh Ancelotti pas ndeshjes për Sky Sports Italia.

Napoli i ka fituar pesë nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara në shtëpi kundër klubeve nga Premierliga në Ligën e Kampionëve, përderisa disfata e vazhdoi një trend për Kloppin, i cili tani ka pësuar humbje në pesë udhëtimet e tij të fundit në Itali.

Dhe, përderisa ky rezultat mund të mos ketë rëndësi shumë të madhe në radhitjen përfundimtare të klubeve në Grupin E, Ancelottit i bëri përshtypje mënyra se si skuadra e tij e menaxhoi ndeshjen kundër kampionit të Evropës.

“Unë dua ta shoh që skuadër që i beson vetes dhe cilësisë së vet. Mua me të vërtetë më pëlqen mënyra se si ne luanim kur nuk e kishim posedimin e topit”, shtoi Ancelotti.

Përkundër që e mposhti Liverpoolin në Itali sezonin e kaluar, Napoli u eliminua qysh në fazën e grupeve të sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve, duke mbetur në vend të tretë pas klubit të Premierligës dhe fituesit të grupit, Paris Saint-Germainit.