Kryeministri Edi Rama ka mbledhur paraditen e sotme Kryesinë e Partisë Socialiste për të diskutuar lidhur me analizën për atë që ndodhi në 30 Qershor, por edhe përgatitjet për asamblenë që pritet që të zhvillohet në fund të korrikut.

Pas zgjedhjeve të 30 Qershorit, Rama deklaroi se pas takimeve dhe analizës në cdo qark do të mbahet edhe asambleja brenda korrikut, teksa data e mbledhjes pritet që të përcaktohet sot. Mbledhja e Kryesisë po zhvillohet prej orës 10:00 në selinë e PS-së.

Asambleja e përgjithshme e PS pritet të mblidhet më 22 korrik.

Partia Socialiste në Shqipëri fitoi 61 bashkitë e këtij vendi në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të cilat u mbajtën pa opozitën.

Në 31 nga 61 bashkitë, Partia Socialiste ka qenë pa asnjë kundër-kandidat, ndërsa në 30 të tjerat kanë garuar kandidatë të pavarur apo kandidatë të partive të vogla.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili i ka anuluar zgjedhjet e së dielës përmes shfuqizimit të dekretit të mëparshëm për këtë ditë, ka caktuar një datë të re të zgjedhjeve lokale në vend.

Ai ka dekretuar 13 tetorin si ditë kur qytetarët e Shqipërisë do të votojnë për kryetarët e bashkive të tyre.