Vrasjet e fundit të ndodhura në qytetin e Shkodrës kanë vënë në alarm Policinë e Shtetit dhe jo vetëm.

Forcat Speciale janë prej ditësh në Shkodër dhe po kryejnë operacione të njëpasnjëshme për të evidentuar keqbërësit.

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schutz, pasditen e sotme nga Shkodra tha se Shqipëria ka bërë shumë por në të njëjtën kohë ka bërë thirrje që të bëhet edhe më shumë në luftën kundër krimit të organizuar.

“Shqipëria ka shënuar përmirësime sa i takon luftës kundër krimit por duhet të bëjë më shumë. Prokuroria dhe policia duhet të bëjnë më tepër”, tha Schutz.

Ambasadorja gjermane u ndal edhe te negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian ku u shpreh se Gjermania është e angazhuar që Shqipëria të integrohet në BE.

Kujtojmë se vrasjet e ndodhura në Shkodër kanë sjellë edhe reagimin e komuniteteve fetare në këtë qytet të cilat kanë bërë thirrje për paqe e harmoni mes qytetarëve shkodranë. /G.Gj/Lexo.al/