Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt, iu ka bërë thirrje magjistratëve të rinj të investojnë në sistemin e drejtësisë për të luftuar defektet e sistemit aktual dhe për ta çuar atë përpara.

Në fjalën e tij, gjatë ceremonisë së diplomimit të magjistratëve të rinj, kreu i diplomacisë së OSBE u shpreh se përparësi themelore për drejtësinë në Shqipëri duhet të ketë pavarësia dhe integriteti i sistemit, duke vënë theksin te një sistem drejtësie transparent.

“Keni sfida përpara dhe shpresoj t’iu bëni ballë. OSBE promovon sundimin e ligjit për një sistem drejtësie transparent. Pavarësia dhe integriteti i sistemit janë themelore për drejtësinë në Shqipëri. Jeni zgjedhur për të çuar përpara sistemin.

Jemi të ndërgjegjshëm që sistemi i drejtësisë në Shqipëri po kalon nëpër ndryshime të mëdha. Janë ndërtuar institucione tepër të rëndësishme për drejtësinë, por pritet të ndërtohen edhe të tjera më të rëndësishme. Ju jeni prokurorët dhe gjykatësit e rinj të vendit. Patjetër, që duhen luftuar defektet aktuale të drejtësisë. Ju inkurajoj që të investoni në sistemin e drejtësisë.

Pritjet janë të mëdha, të gjithë kanë besim te ju, keni përgjegjësi të madhe përpara. Çdo vendim që do të merrni, do përmirësojë edhe njohjen tuaj dhe mbi të gjitha këto vendime duhet të jenë në kuadër të sundimit të ligjit. Kemi bërë trajnime për profesionistët e drejtësisë, shpresoj që gjërat të shkojnë më mirë edhe më tej”, tha ambasadori Borchardt.