Ambasadori Gjerman Peter Zingraf këtë të mërkurë është takuar me Prokurorin e ri të Përgjithshëm Olsian Çela dhe e përgëzoi atë për detyrën e re, që mori në datën 5 dhjetor.

Zingraf shprehet se Gjermani dhe Bashkimi Evropian ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi. Ndërkohë për sa i përket zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm përmes Parlamentit, Zingarf është shprehur se ky është një hap thelbësor për zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe do të rrisë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“Gjermania, së bashku me Bashkimin Evropian, ka mbështetur gjithmonë zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri dhe do ta vijojë të bëjë këtë edhe në të ardhmen. Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm përmes parlamentit pas verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një hap thelbësor në zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe do të konsolidojë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. I uroj Prokurorit të ri të Përgjithshëm shumë forcë dhe suksese në detyrën e tij të rëndësishme.“ tha Zingraf.

Olsian Çela është prokurori i ri i Përgjithshëm me një mandat 7-vjeçar. Ai u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 5 dhjetor me votat pro të 101 deputetëve. Pas votimit, Çela është betuar mbi kushtetutë në sallën e seancës plenare. Olsian Çela ishte kandidati i parë i radhitur në listë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, e dyta Arta Marku, kryeprokurore e përkohshme.