Pas alarmit të rremë nga Syri.net mbrëmjen e djeshme që terrorizoi qytetarët në Tiranë, sizmologu Rrapo Ormeni në një lidhje telefonike për Report Tv bën edhe një herë thirrje që të qetësohen, pasi tërmetet nuk mund të parashikohen dhe se lëkundjet pas goditjes kryesore janë gjithmonë më të vogla dhe nuk kanë rrezik.

“Ne mund të flasim për zonën ku ka rënë tërmeti, jo për zonat e tjera, është një goditje kryesore që shoqërohet me pas goditje që vijnë duke u zvogëluar. Në momentin që bie goditja kryesore çlirohet pjesa më e madhe energjisë dhe pjesa e vogël që ngelet çlirohet me goditje të vogla.

Nuk duhet të ketë frikë askush, janë normale, nuk shkaktojnë asnjë dëm, nuk duhet të krijojnë asnjë panik. Kështu ka ndodhur edhe me tërmetin në Korçë, që pas goditjes kryesore kishte të tjera të vogla pa efekt derisa u vendos ekuilibri. Nuk ka vend që të krijohet paniku, pasi shkencërisht nuk mund të parashikohet tërmeti” tha ai.