“Akullore si dikur” është festa e kulinarisë që zbriti në shëtitoren e Durrësit, ku mijëra qytetarë dhe pushues të këtij qarku, shijuan produktin tipik të qytetit bregdetar, në një panair në hyrje të Vollgës, vendin simbol të këtij qyteti. Kryeministri Edi Rama veçoi sot këtë festë lokale që shndërroi Durrësin në qendrën e argëtimit dhe shijes.

“Mirëmëngjes dhe me “Akullore si dikur”, Festa lokale e Durrësit që për dy netë u shndërrua në qendrën e argëtimit dhe shijes për banorët dhe vizitorët e shumtë të këtij qyteti bregdetar, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Pushuesit e huaj janë njohur dhe kanë shijuar produktin karakteristik të prodhuar në mënyra të ndryshme, pa humbur shijen tipike të akullores së famshme të qytetit bregdetar. Vetë prodhuesit e kanë vlerësuar nismën, si një gjetje e promovimit të produktit të tyre.

“Akullore si dikur” shënon këtë vit edicionin e dytë, duke risjellë për brezat e vjetër e të rinj, por edhe për turistët e huaj që vizitojnë qytetin bregdetar, shijen unike të këtij produkti lokal.