Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta, në një konferencë të përbashkët për shtyp sot në Tiranë, bënë prezent shifrat e aksionit kundër informalitetit ndaj produkteve të akcizës.

Ministrja Denaj tha se, gjatë muajit korrik ecuria e konsumit të importit të produkteve të akcizës si dhe niveli i të ardhurave të arkëtuara nga administrata doganore ka pësuar rritje të konsiderueshme. Në muajin korrik të ardhurat nga akciza arritën në 4.86 miliardë lekë, duke u realizuar në masën 107% ndaj planit, me një rritje prej 17,8% në krahasim me korrikun e vitit të kaluar

“Prioritet i punës tonë në planin e masave kundër informalitetit, për muajit gusht janë produktet e akcizës. Veprimtaria rregullohet nga ligji që parashikon lehtësira të konsiderueshme për operatorët duke përmendur pagimi i detyrimeve të akcizës në momentin e hedhjes në qarkullim dhe vetëdeklarim. Përtej lehtësirave ky ligj parashikon edhe panalitete. Penalitetet në varësi të llojit të subjekteve dhe përsëritjes shkojnë deri në 5-fish të detyrimeve të munguara. Administrata doganore ka analizuar me detaje të dhënat dhe ka përgatitur një listë të subjekteve që do kontrollohen”- deklaroi Denaj.

“Fokus i veçantë i kontrolleve në fazën e parë kanë qenë hidrokarburet. Në muajt në vijim do të kemi fokus të veçantë ndaj produkteve të akcizës, duhanit dhe pijeve alkoolike”, deklaroi ministrja Denaj.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokutaj, bëri prezent të dhënat e planit operacional të kryer gjatë muajit korrik, ku evidentoi se 960 kontrolle në sektorin e hidrokarbureve janë konstatuar 71 raste me shkelje, për të cilat janë marrë masa konkrete.

“Detyrimet e munguara në arkën e shtetit kanë qënë në vlerën 50 milionë lekë, vlera e penaliteteve të vendosura arrin në 98 milionë lekë dhe totali i detyrimeve që duhet të paguajnë subjektet në shkelje, arrin në 148 milionë lekë ose 1.2 milionë euro” -tha Gjokutaj.

Kontrollet do të vijojnë në sektorët e tjerë të akzicës, tha ai.