Në aksin rrugor Pogradec-Tushemisht, i cili shtrihet paralel me “liqenin e dritës”, punimet po vijojnë intensivisht për rikonstruksionin e tij. Deri dje banorët e zonës përbri liqenit dhe vizitorët vuanin pasojat e një rruge totalisht të amortizuar, e cila shpesh ishte edhe shkak për aksidente.

Sot në proces rikonstruksioni, po ndërtohet një “kalim turistik”, në shërbim të drejtpërdrejtë të çdo qytetari dhe të turizmit, tha Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Rikonstruksioni pritet të zhvillojë një rehabilitim të të gjitha problemeve të infrastrukturës dhe realizimin e elementëve si korsi për biçikleta, shtigje për këmbësore, punime ndriçimi, gjelbërimi etj

Aktualisht vijon puna për ndërtimin e veprave të artit, si dhe po realizohet ngjeshja me rul e tabanit të rrugës. Gjithashtu ka filluar procesi i shtrimit të membranës së gjeotekstilit, gjeogride dhe shtresat e çakëllit. Kjo ndërhyrje vjen në kuadër të programit “Rrugët lidhëse rajonale” me financim të Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore, në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.