Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi të martën në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese se kompania ajrore “Air Albania” po operon kënaqshëm në treg dhe se sfida jonë e së ardhmes është vendosja e linjës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke iu përgjigjur sulmeve në media ndaj kësaj kompanie, ministrja Balluku tha se sulmet janë politike dhe lidhen ne faktin se shteti ka 10% të aksioneve.

“Linja e re “Migjeni”, i cili operon në qytetet kryesore të Italisë është pritur shumë mirë nga pasagjerët si nga shqiptarët edhe të huajt. Nga çdo pyetësor që kemi realizuar kemi marrë gjithmonë përgjigje të shkëlqyera për cilësinë e mjetit, shërbimeve, apo korrektësinë në orare”, tha Balluku.

Një avion i tretë, vijoi Balluku, do të nisë operimin drejt Londrës, Athinës, Brukselit dhe në pranverë drejt Amsterdamit.

Në planet afat gjata mbetet avioni i cili do të fluturojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilit i kemi vënë emrin “Fan Noli”. Por sipas Ballukut, duhen plotësuar kushtet teknike sa i përket pistës apo elementë të tjerë.