Të rinjtë, të cilët i përdorin mediat sociale më shumë se 3 orë në ditë, janë më të rrezikuar nga disa çrregullime të gjumit, shkruan BBC, transmeton Express.

Sipas një hulumtimi të fundit, këto çrregullime i prekin një në tre të rinj, të cilët kalojnë përafërsisht 5 orë në ditë duke përdorur Instagramin, Whatssap-in apo Facebook-un.

Në hulumtimin e fundit janë përdorur të dhëna nga studimet e kaluara, të cilat përmbanin informacione për kohën, që të rinjtë e shpenzonin në media sociale, aplikacionet që përdorin si dhe kohën e gjumit. Si rezultat është vërejtur se të gjithë të rinjtë, që i përdorin këto aplikacione më shumë se 3 orë në ditë kishin probleme me gjumin.

Sipas hulumtuesve, mediat sociale janë një nga faktorët kryesorë, që shkaktojnë probleme me gjumin, depresion dhe ankth.

Sipas studimeve të bëra deri tani, njerëzit nuk duhet ta përdorin telefonin në dhomën e gjumit dhe së paku një orë para se të flenë.