Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut shqyrtoi projektligjin “Për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar për ekspozimin shkencor në Detin Mesdhe”.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Bledi Klosi, prezantoi projektligjin e propozuar, i cili synon aderimin e Republikës së Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar për Eksplorimin Shkencor në Detin Mesdhe, si një nga shtetet që laget nga Deti Mesdhe, për të kryer hulumtime, studime dhe punë oqeanologjike në këtë det.

Projektligji ka si qëllim që të kontribuojë në zbulimin dhe mbrojtjen e Detit Mesdhe dhe deteve që kontribuojnë në këtë det.

Komisioni Ndërkombëtar për Eksplorimin Shkencor në Detin Mesdhe është një organizatë ndërqeveritare me seli në Monako, e cila përbëhet nga 23 shtete anëtare e konkretisht: Algjeria, Kroacia, Qipro, Egjipti, Franca, Gjermania, Greqia, Izraeli, Italia, Libani, Malta, Maroku, Monaku, Portugalia, Rumania, Rusia, Sllovenia, Spanja, Zvicra, Siria, Tunizia, Turqia dhe Ukraina. Këto shtete mbështesin një rrjet me disa mijëra studiues detarë që përdorin mjetet më të fundit shkencore për të kuptuar, monitoruar dhe mbrojtur më mirë Detin Mesdhe i cili po ndryshon në mënyrë të shpejtë dhe të pashembullt. Është pikërisht Komisioni që gjurmon dhe analizon këto ndryshime, të cilat vijnë nga ndikimi i ngrohjes globale në nivelin e detit dhe masat ujore deri te ndryshimet në biodiversitetin detar.

Duke qenë pjesë e këtij projekti, Republika e Shqipërisë do të përfitojë ndihmë teknike dhe financiare, nëpërmjet projekteve të vogla dhe të mesme, për të mbrojtur dhe për të zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme zonën detare të rajonit tonë.

Pas diskutimeve komisioni miratoi projktligjin “Për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar për ekspozimin shkencor në Detin Mesdhe”.