Nga Blendi Gashi

Ambasadori amerikan, Greig Delawie kritikoi tej mase Vetëvendosjen më 21 mars të këtij viti kur u miratua Demarkacioni me Malin e Zi, me ç’rast i nevrikosur për hedhjen e vazhdueshme të gazit lotsjellës që pengonte votimin e marrëveshjes në fjalë, i quajti vetëvendosësit si njerëz të dhunës dhe pa ide.

“Më duhet të them se sot (21 mars) ishte një zhgënjim i madh për mua sepse mendoj që njerëzit të cilët nuk kanë kurrfarë ideje dhe idetë e të cilëve kanë bankrotuar, i kthehen dhunës. Kjo nuk guxon të ndodhë në shtet evropian. Hedhja e gazit lotsjellës nuk është sjellje evropiane”, theksoi ai, para se të miratohej Demarkacioni.

Por tre muaj më pas, marrëdhëniet mes palëve janë relaksuar; ata nuk flasin më për dhunën por për bashkëpunim.

Këtë e tregon edhe takimi i 20 qershorit mes tyre, ku në foton e publikuar shihet si Delawie e ka pritur me buzëqeshje Kurtin.

Ky i fundit, duke lajmëruar takimin, ka folur për bashkëpunim të mirë me ambasadorin.

“Pata kënaqësinë të takohem me Ambasadorin Greg Delaëie në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Bashkë me ambasadorin Delawie diskutuam për funksionimin e institucioneve në Republikën e Kosovës në përputhje me shtetin e së drejtës dhe parimet e demokracisë në republikën parlamentare. Më tej trajtuam edhe çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të Kosovës, arsimin e punësimin, si dhe situatën në lidhje me dialogun me Serbinë. Ambasadorit Delaëie i shpjegova qëndrimet dhe punën e Lëvizjes Vetëvendosje për të gjitha këto çështje. U dakorduam për t’i vazhduar kontaktet dhe takimet e këtilla edhe në të ardhmen”, ka shkruar Kurti.

Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët nëse ambasadori i kërkoi që partia e tij të bëhet pjesë e dialogut të ri final që pritet të udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi, Kurti e ka mohuar diçka të tillë.

“Nuk ka kërkuar të jemi pjesë e dialogut. Takimi me ambasadorin amerikan ka qenë shumë i mirë, ai nuk imponon mendimet e veta, qëndrimet i thotë hapur dhe publikisht. Ai e theksoi që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, që ndihmohet e mbështetet nga SHBA-ja, e që do duhej që vendimet e qëndrimet të merren nga institucionet dhe qytetarët e vendit tonë”, tha Kurti gjatë konferencës për media.

Ky respekt i treguar nga Kurti për ambasadorin dhe fotoja e realizuar ku shihen buzagaz, është një sinjal se palët përfundimisht po lënë pas mospajtimet që kanë pasur ndër vite dhe po hapin një derë të re bashkëpunimi.

Shtrohet pyetja: mos SHBA pas përfundimit të dialogut Kosovë-Serbi, e shohin Kurtin si udhëheqësin e së ardhmes së Kosovës, apo thjesht është një relaksim raportesh dhe bashkëpunim normal si me gjitha partitë tjera?

Sigurisht këtë do ta tregojë koha.j.j