Nga Alfred Peza/

Duhet pranuar se Lulzim Basha ka një “cilësi” të jashtëzakonshme politike, të cilën pakkush e zotëron si ai, ndër liderët e tjerë të politikës aktuale. E ajo ka të bëjë me aftësinë për ta shitur humbjen më të madhe, si triumfin politik më të jashtëzakonshëm!

E tillë është edhe ajo që ai u tha sëfundi në SHQUP, drejtuesve kryesorë të PD, kur u kërkoi degëve të tyre që të përgatiten për zgjedhje të parakohshme. E jo për një palë zgjedhje dosido. Por për një hap gjigand ku “kriza politike mund të kapërcehet me zgjedhje të parkohëshme parlamentare dhe vendore në të njëjtën ditë”!

Pikërisht këtë arsyetim, Lulzim Basha e ka paraqitur nga ana tjetër, si një arësye se përse ai ka qenë i detyruar në këto kushte, që ta ndërpresë aksionin opozitar të shoqëruar me protesta, apo siç ai kishte dëshirë që ta quante përpara 30 Qershorit; “revolucionin popullor”.

Mediat e citojnë Bashën të ketë shprehur shpresën që “deri nga mesi i tetorit, nuk do të ketë ndërhyrje negative sa u takon vendimeve të BE, për fatin e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë”. Shenjë kjo që mund të lexohet në të kundërtën e saj, po të kemi parasysh se ai vetë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm opozitar në Shqipëri, kanë bërë gjithçka që kjo të mos ndodhë.

Megjithatë, ajo që bie në sy në gjithë këtë qasje të re opozitare pas qëndrimit të Komisionit të Venecias që legjitimoi zgjedhjet e 30 Qershorit dhe vendimit të Bundestagut gjerman për ti thënë PO çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE, është pikërisht “kapërcimi Pindarik” i Lulzim Bashës për të mos e pranuar të gjithën këtë, si një humbje të madhe të tij dhe lidershipit të opozitës së rrugës.

Përkundrazi! Këto dhe detyrimin për tu ulur për herë të parë në tryezën e dialogut pa kushte përballë mazhorancës për reforën e re elektorale, Basha po mundohet që tua shesi të vetëve jo si dështimin e tij spektakolar politik, por si triumfin e jashtëzakonshëm që po i risjell në pushtet. Madje brenda një dite të vetme. Edhe në pushtetin qëndror, edhe në atë lokal. Nëpërmjet ëndrrës së tij për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme, të cilën po ua shet të vetëve si realitin që ata do ta prekin brenda 24 orëve!

E sigurtë është që zgjedhje të parakohëshme NUK ka. Aq më pak do të ndodhë ajo që thotë Luli! Po pse e thotë atëherë ai këtë?

Për të gjithë ata që dijnë të lexojnë sadopak përtej asaj që thuhet e shihet në politikë, shpjegimi është fare i thjeshtë: As Lulzim Basha, as Sali Berisha, as Ilir Meta e Monika Kryemadhi sëbashku apo veç e veç, nuk ia dolën dot që ti bllokonin zgjedhjet e 30 Qershorit nëpërmjet asaj që ata kishin aq qejf që ta quanin: “Revolucioni popullor”!

Sepse ky “revolucion” fals, i imponuar siç tha Ilir Meta artificialisht nga lart, nuk ndodhi dot as kur u dogjën mandatet e gjithë deputetëve të opozitës, e as kur u firmos marrëveshja për të bojkotuar zgjedhjet, e jo më të ndodhi tani kur opozita i nxorri të vetët në rrugë, edhe nga të gjitha bashkitë e Shqipërisë.

Kjo do të thotë se përveç sebepit opozitar që mungon tashmë, mungon gjithashtu edhe mundësia për të importuar si dikur, protestues opozitar ndër rradhët e punonjësve të bashkive të Kamzës, Vorës, Kavajës, Shkodrës a gjetkë. Bashki të drejtuara deri më 30 Qershor nga PD apo LSI, punonjësit e të cilave dërgoheshin me detyrim, duke krijuar edhe “masën” kryesore të atij “revolucioni” imagjinar, që nuk ndodhi kurrë.

Në këto kushte, duke qenë se kemi të bëjmë me një “konflikt politik artificial të imponuar nga lart” dhe jo me një lëvizje popullore që buron nga poshtë, Lulzim Basha e ka gati gënjeshtrën e radhës. Ai nuk e ka pranuar para të vetëve humbjen në zgjedhje as më 2015, e as më 2017. Ndaj as nuk ka ndërmend që ta konsiderojë të tillë dështimin spektakolar të 2019. Sepse, kjo do ta largonte herët ose vonë, nga kreu i partisë.

Për të shmangur dështimin e tij në lëvizjen “Rama ik”, nga frika se mos ajo i kthehet tashmë në lëvizjen “Basha ik”, ka nxjerrë nga mënga “A”-sin e radhës. Duke i gënjyer të vetët, se ajo që ka ndodhur nuk është ashtu sië duket, por siç kërkon tua imponojë ai. Si një sukses aq të madh, sa sëshpejti ai do ti risjellë ata edhe në pushtetin qëndror edhe në atë lokal, në të njëjtën ditë!

Që kjo nuk do të ndodhë, këtë e dijnë jo vetëm shqiptarët, por edhe vetë drejtuesit e opozitës në të gjitha nivelet tashmë. Ndaj në vend që ti gëzohen gënjeshtrës së radhës, ata kanë filluar që të debatojnë si në dilemën më të vjetër që ka bota: “A e bëri pula vezën, apo veza pulën!” Por me një ndryshim të madh. Sepse ata nuk kanë më asnjë dilemë, nëse këtë radhë “e la Luli në mes revolucionin, apo revolucioni Lulin!” (Alpenews.al)