Nga Alma Lama

Ka një proçes që po shkon përpara në Ballkanin Përendimor, ndonëse ngadalë dhe pa dinamizmin e dëshirueshëm. Ai është proçesi i Berlinit, i iniciuar nga Gjermania në gusht të vitit 2014 dhe mbështetur fuqishëm nga vendet kryesore të BE-së si Franca, Austria, Italia, Anglia, Polonia, etj, përfshirë edhe strukturat e Bashkimit Europian. Tashmë ka një numër marrëveshjesh të nënshkruara nëpër samitet e organizuara në këto vende, dhe mbi të gjitha ka një filozofi të përbashkët: të ndihmohet rajoni të dalë nga mosmarrveshjet e mprehta politike, vështirësitë ekonomike dhe të parapërgatitet për të hyrë në Bashkimin Europian.

Disa nga gjashtë vendet e BP tashmë janë në një shkallë të avancuar të proçesit të integrimit, si Mali i Zi dhe Serbia. Mbetet e fundit Kosova, e cila megjithëse ka nënshkruar MSA-në, ka si barrierë përpara njohjen e pesë vendeve, mirëpo derisa ky problem të zgjidhet, duhet të plotësohen standartet e kërkuara dhe për këtë nuk e pengon askush.

Tashmë janë dhënë edhe miliona euro për të mbështetur disa projekte infrastrukturore që do të lidhin vendet e rajonit, për të lehtësuar kështu edhe shkëmbimet tregtare dhe për ta bërë një vend më tërheqës për investime; ka edhe institucione rajonale që janë hapur për të vënë në jetë projektet e proçesit të Berlinit.

Pa dashur të zgjatem, do të theksoj një argument që është me rëndësi për t’i dhënë përgjigje pyetjes që shtrohet në titull, e që lidhet me nxehjen e gjakrave në rajon për një iniciativë që rrënjët i ka në proçesin e Berlinit.

Në korrik të vitit 2017 në Trieste u mbajt Samiti i radhës, ku morën pjesë përfaqësuesit e gjashtë vendeve të BE-së (Italia, Franca, Gjermania, Anglia, Austria dhe Kroacia) dhe përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Përendimor. Disa javë përpara këtij Samiti, u diskutua për nënshkrimin e një marrëveshjeje, e cila do të krijonte një treg të përbashkët rajonal sipas modelit të BE-së.

Ashtu sikurse tani, edhe atëherë u shfaq në horizont frika nga fantazma e Jugosllavisë dhe më shumë sesa një projekt që bashkonte rajonin, përfaqësuesit e BE-së e kuptuan se ishte si një iniciativë që i hidhte benzin zjarrit të pashuar ballkanik. Kosova kundërshtoi fuqishëm këtë iniciativë me argumentin e mosnjohjes nga Serbia dhe Bosnja, si dhe vështirësitë që këto dy shtete po i krijonin edhe në kuadër të marrëveshjes për tregti të lirë CEFTA. Si përfundim, vendet e BE-së nuk u tërhoqën plotësisht nga iniciativa, por e modifikuan atë dhe në një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik për zhvillimin e një Zone Ekonomike Rajonale, bazuar në rregullat e CEFTA-s dhe BE-së dhe parimeve që reflektohen në MSA-të e që mundësojnë rritjen progresive të qarkullimit të lirë të mallrave, shërbimeve, investimeve, punëtorëve të specilizuar, në përputhje të plotë me agjendën e secilit vend.

Kjo zonë e përbashkët do të krijonte mundësinë e krijimit të një tregu të përbashkët prej 20 milion banorësh, gjë që do të ndikonte edhe në tërheqjen e investimeve direkte nga jashtë. Në përfundim të Samitit theksohej se kjo nuk do të ishte as një alternativë e integrimit europian, e as një strukturë paralele, por do të shërbente për të forcuar kapacitetet ekonomike të vendeve të Ballkanit Përendimor për të përmbushur kriteret ekonomike europiane, dhe të implementonin legjislacionin europian në nivel rajonal, përpara se t’i bashkoheshin BE-së.

Përfaqësuesi i Kosovës, atëherë kryeministër, z. Isa Mustafa e nënshkroi këtë marrëveshje, ashtu sikurse të gjithë përfaqësusit e vendeve të tjera të rajonit, me përjashtim të Bosnjës.
Pra heqja e barrierave dhe lehtësimi i lëvizjes se njerëzve dhe mallrave në kalimet kufitare ishte thelbi i marrëveshjes, gjë që është edhe thelbi i iniciativës së të ashtuquajturit “minishengen” por që për shkak të pjesëmarrjes së vetëm tre vendeve, më mirë të quhet Trojka ballkanike. Kjo iniciativë siç edhe pritej është përkrahur si nga BE-ja ashtu edhe nga SHBA, siç pritet të përkrahet çdo iniciativë bashkëpunimi që vjen nga vetë rajoni, të cilin prej dekadash të vetmit që mund ta bëjnë bashkë dhe ta ulin në bisedime janë ndërmjetësuesit ndërkombëtarë. Me pak fjalë, të shohësh bashkë presidentin e Serbisë Vuçiç, Kryeministrin e Shqipërisë Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zaev, duke lëvizur drejt bashkëpunimit rajonal pa ndërmjetësim, dhe duke u mbështetur në proçesin e Berlinit, është një pamje shumë pozitive.

Por ku qëndron problemi?

Duke pasur parasysh proçesin e shpjeguar më lart, lehtësimi i qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, punëtorëve dhe studentëve siç u përmend në deklaratën pas Samitit të Ohrit nuk mund të jetë një gjë e keqe në vetvete. E keqja e këtij proçesi është se Trojka vetëm sa e ka vërtetuar edhe një herë tjetër se liderët ballkanikë nuk mund të ulen në një tryezë pa ndërmjetësim nga përfaqësuesit BE-së. Tre vende të tjera të rajonit, Mali I Zi, Bosnja dhe Kosova refuzuan pjesëmarrjen. Por themra e Akilit në të gjithë këtë debat është Kosova dhe raportet e saj me Serbinë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, po kritikohet ashpër në opinion publik, me akuzën për anashkalim të Kosovës, por ajo që po anshkalohet në këtë debat, në të vërtetë është dialogu që ka ndodhur ndëmjet Kosovës dhe Serbisë prej vitit 2011 dhe 32 marrëveshjet që i kanë nënshkruar, disa prej të cilave kanë të bëjnë pikërisht me qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave.

Qyetarët e Kosovës dhe të Serbisë mund të lëvizin me karta identiteti, ndërmjet këtyre dy shteteve, por në bazë të marrëveshjes së vitit 2011 për lirinë e lëvizjes (http://xn--cdaaa.kryeministri-ks.net/repository/docs/Konkluzionet_perfundimtare_operative,_grupi_implementues_per_lirine_e_levizjes_29_nentor_2011.pdf) në kufi ata duhet të pajisen me dokumenta hyrëse-dalëse, një proçedurë absurde që lidhet me mosnjohjen e shtetit të Kosovës.

Ndërsa një shtetas i Shqipërisë apo i ndonjë vend tjetër, nuk mund të hyjë në Serbi nga kufiri me Kosovën por duhet të shkojë nga Maqedonia, pasi Serbia nuk e njeh kufirin e Kosovës me Serbinë, ndërsa në kufirin Kosovë-Shqipëri nuk kanë akses. Procedura e dokumenteve hyrëse e dalëse është e detyrushme edhe për mallrat që transportohen, targat e makinave të Kosovës etj.

Kosova pra, që ka barriera të shumëfishta, është e para që duhet të zgjidhë njëherë e mirë, problemin e lirisë së lëvizjes në raport me Serbinë. A është i gatshëm Vuçiç, që ta ofrojë këtë mundësi, nëpërmjet marrëveshjes së “minishengenit”? Po shqiptarët e Shqipërisë a mund të shkojnë në Serbi nëpërmjet Kosovës, pas kësaj marreveshjeje? Po mallrat, makinat, kontrollet sanitare?

Nëse përgjigjet janë po, kjo do të ishte një arritje historike, nëse janë jo, kjo është edhe një farsë tjetër ballkanike.

Deri tani kemi parë përfaqësues të Kosovës që kanë refuzuar pjesëmarrjen në këtë iniciativë; kemi dëgjuar nga deputetë e ministra deklarata që hedhin baltë mbi qeverinë shqiptare, duke harruar se proçesi që ka dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme integritetin e Kosovës, nuk është “minishengeni”, por projekti i ndarjes së Kosovës ndërmjet Thaçit dhe Vuçiçit, që u përgadit në takime sekrete, siç e kanë pranuar edhe vetë, e u elaborua në forume ndërkombëtare. Kjo iniciativë, i bëri të prekshëm kufijtë e Kosovës, një gjë e përjashtuar në mënyrë kategorike dhe vulosur me shpalljen e pavarësisë. Ky është një gabim i pafalshëm historik, për të cilin ende askush nuk ka dhënë llogari.
Të kthehemi tek “minishengeni”. Me refuzimin e kësaj iniciative Kosova ka gabuar. Përfaqësuesit e saj është dashur të vënë në provë Serbinë, për këtë ndërmarrje.

Nëse ajo do të refuzonte, iniciativa do të kompromentohej automatikisht. Edhe Vucic do të pësonte fiasco në tentativën e tij të vazhdueshme për tu shituar lider i moderuar përpara BE-së, ndërkohë që luan paralelisht edhe me kartën ruse. Në këtë mënyrë Kosova nuk do të shihej si refuzuese e bashkëpunimit, siç po shihet nga faktori ndërkombëtar që prej vendosjes së taksës 100%. Kosova ka shumë nevojë për mbështetjen e vendeve të BE-së, ndryshe nga Serbia.

Kosova pra, në bashkëpunim me Shqipërinë do të duhej të ndërtonin një strategji për të shkuar me një qëndrim në iniciativën rajonale që në vetvete është pozitive. Mirëpo raportet e acaruara nga amatorizmi politik, tashmë kanë pamundësuar një gjë të tillë.

Mendoj se kryeministri shqiptar duhet të presë krijimin e qeverisë së re, përpara se të organizojë samitin e ardhshëm, dhe të shoshiten njëherë e mirë pozicionet, avantazhet dhe disavantazhet e kësaj iniciative. Kosova vendos vetë për të ardhmen e saj, dhe ankesat që u panë nëpërmjet disa reagimeve, dëshmojnë se ndjen pasiguri në mënyrë të panevojshme. E sa për gogolin e Jugosllavisë, është një frikë e pabazë që nuk ndihmon kthimin në racionalitet./Marrë nga përqasje.com