Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) po zhvillon seancën e dyte për vlerësimin e vendimit të KPK nëse ish-kryetari i organit të akuzës, Adriaik Llalla, do t’i nënshtrohet ose jo procesit të vettingut.

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk merr pjesë në seancë dhe përfaqësohet nga avokati Sokol Hazizaj.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa thotë se Adriatik Llalla si magjistrat nuk ka ndjekur procedurën ligjore të dorëheqjes.

Florian Ballhysa tha se megjithëse ka lënë detyrën në dhjetorin e vitit të kaluar, Llalla nuk është larguar si magjistrat dhe si i tillë ai duhet të kalojë në filtrat e verifikimit të pasurisë dhe figurës.

“Llalla e gëzon ende statusin e magjistratit për shkak se është ish- kryeprokuror. Ai nuk e ka dhënë dorëheqjen në formën e kërkuar”- tha Ballhysa.

Kolegji i Posaçëm Apelimit mori në shqyrtim çështjen e dorëzuar nga Komisioneri Publik, ku kërkohet që ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla t’i nënshtrohet vettingut.

Procesi ndaj Adriatik Llallës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar apeli dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë.

Verdikti u mor në atë kohë nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi. Por, ky është rezultat i njëjtë sikurse edhe ai i një trupe tjetër gjyqësore të KPK, e cila po për shkak të dorëheqjes si gjyqtar kushtetues i ndërpreu vettingun edhe Besnik Imerajt.